Arbëri

Ndikimi i mjegullës dhe ndotjes së ajrit në shëndetin respirator

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Mjegulla dhe ndotja e ajrit po ndikon në shëndetin respirator, e veçanërisht te personat me astmë dhe sëmundje të tjera kronike, ka vlerësuar pulmologu Besim Morina në një intervistë për Ekonomia Online.

“Kushtet atmosferike kanë ndikim në shëndetin e mushkërive sidomos te njerëzit që kanë probleme respiratore, këtu flasim për njerëz që kanë astmë bronkiale, njerëzit që kanë bronkit, njerëzit që kanë edhe sëmundje të tjera kronike të mushkërive. Këta janë gjithmonë njerëz që janë shumë të ndjeshëm në ndryshimet atmosferike, në ndryshimin e presionit të ajrit, të lagështisë së ajrit, sidomos në kushtet atmosferike të tilla të veçanta siç është mjegulla apo i ftohti i madh. Mjegulla është vërejtur që ka ndikim direkt në përkeqësimin e sëmundjeve kronike, përkeqësimin e astmës bronkiale”, ka deklaruar Morina.

Muajt e ftohtë, sipas Morinës, mbeten periudha më e rrezikshme për pacientët me probleme respiratore për shkak të infeksioneve sezonale dhe rritjes së ndotjes, të cilat shpesh çojnë në përkeqësim të astmës e bronkitit dhe kërkojnë trajtim shtesë mjekësor.

“Përveç kësaj, mjegulla dihet se e favorizon ose e përkeqëson ndikimin e ndotjes për shkak se ndotja e ajrit në kushtet e mjegullës, pra grimcat e ndotësve të ajrit si nga dioksidi i karbonit, si oksidi i sulfurit, grimcat e imëta, për shkak të kushteve që janë të mjegullës, mbesin në nivelin e ulët të ajrit. Ne kemi mundësi me thith sasi më të mëdha të ndotjes kur kemi kushte të mjegullës. Mjegulla edhe në mënyrë direkte përkeqëson gjendjen respiratore, por edhe në mënyrë indirekte, duke e përkeqësuar efektin e dëmshëm të ndotjes, e bën përkeqësimin e sëmundjeve kronike respiratore”, ka theksuar ai.

Morina shtoi se shumë pacientë me astmë ende nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin e kushteve atmosferike në gjendjen e tyre, ndërsa edhe përdorimi i tepruar i kondicionerëve mund të përkeqësojë simptomat për shkak të tharjes së ajrit.