Rënia e temperaturave dhe moti me mjegull kanë kontribuuar në përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Vetëm gjatë ditëve të fundit, indeksi i Cilësisë së Ajrit ka lëvizur nga niveli mesatar deri në atë të lartë të ndotjes. Për këtë gjendje janë ankuar qytetarët, ndërsa ekspertë të mjedisit kanë kritikuar institucionet për mungesë të veprimeve në funksion të përmirësimit të situatës. E ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar për rreziqet që u kanosen qytetarëve
Ecjen në natyrë, Besir Bunjakut ia ka vështirësuar prej disa ditësh përkeqësimi i cilësisë së ajrit në Prishtinë, e që në indeksin e matjes së cilësisë ka lëvizur nga ai mesatar deri në atë me shkallë të lartë të ndotjes.
Ndonëse jeton në një lagje afër parkut të Gërmisë, ai thotë se daljet nga shtëpia i bën vetëm për raste urgjente.
E për gjendjen me ajrin e ndotur, ai fajin kryesor ia bart faktorit njeri.
“Gjithmonë ajrin e ndot faktori njeri, duke filluar nga djegia e qymyrit, se ende ka shtëpi që nuk janë në gjendje të mjerueshme, kanë mundësi me dru e rrymë kanë mundësi”, ka thënë Bunjaku. “Kur kam unë mundësi, kanë edhe ata, por shkojnë kah 12 tonë i blejnë qymyr edhe nuk guxon ti as me hapë dritare e as nuk guxon me marrë ajër. Edhe fëmijët e vegjël kanë pengesa”.
Me të pajtohet pjesërisht edhe njohës i çështjeve të mjedisit, Ilir Morina, teksa thotë që periudha më kritike për ndotjen e ajrit është ajo prej muajit nëntor e deri në shkurt.
“Si të fillojë ftohja graduale e temperaturave, rënia e temperaturave, fillojnë ndezja me e fuqishme e të gjitha stufave, e shfrytëzimit të formave të ndryshme të peletit, gjithashtu edhe automjetet djegin më shumë karburant edhe termocentralet janë me fuqi 100 për qind të prodhimit”, ka thënë Morina. “Të gjitha këto bëjnë që menjëherë të rritet ndotja, i tejkalon normat edhe dhjetori e janari tejkalon dyfish, trefish, deri dhjetëfish, normat”.
Ai shpreh kritikë për mungesën e veprimit institucional drejt përmirësimit të gjendjes që përsëritet nga viti në vit.
“Prej vitit 2016 ekzistojnë rregullore që asnjë automjet në kontrolle teknike mos dal pa u kontrollu edhe lirimi i gazrave, edhe ai automjet që është me karton të gjelbër, që është në kuadër të ligjit, të regjistrohet e ai që nuk e ka atë karton nuk regjistrohet. As që i kërkohen në qendra të regjistrimit. Domethënë, vetë shteti nuk e implementim ligjin e vet. Pastaj, filtrat e KEK -ut janë mbi 95 milionë euro donacione prej vitit 2019 që nuk vendosen”, ka thënë Morina.
Ndotja e ajrit vlerësohet si një prej shkaktarëve kontribuues në shfaqjen e problemeve të shumta shëndetësore, përfshirë kancerin në mushkëri, astmën dhe sëmundje kronike të mushkërive.
Pulmologu Skender Baca, i tregon pasojat që i shkakton te shëndeti depërtimi në organizëm i grimcave që e bëjnë ajrin e ndotur.
“Grimcat që janë pak më të mëdha ndalen në traktin e sipërm respirator, duke filluar nga hunda. Mirëpo, janë grimcat e vogla, të cilat depërtojnë deri në alveole e ato shkaktojnë probleme, duke filluar nga çrregullimi i transportit të lëngjeve në qeliza epiteliale, edhe pastaj organizmi reagon në fillim me kelbazë, hipersekrecion dhe pastaj mund të vijë deri tek infeksioni”, ka thënë Baca.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, rreth 760 njerëz vdesin para kohe çdo vit në Kosovë, si pasojë e ekspozimit në ajër të ndotur.