Ftohja e motit e ka rikthyer Prishtinën në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë. Në dy javët e para të dhjetorit, Indeksi i Cilësisë së Ajrit ka treguar për tejkalim të normës së lejuar të ndotësve. E ekspertë të mjedisit kritikuan institucionet se nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete në funksion të përmirësimit të situatës
Dy javët e para të dhjetorit e kanë renditur Prishtinën në mesin e qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.
Indeksi i Cilësisë së Ajrit ka treguar se niveli i ndotjes së ajrit është luhatur nga 150 deri në 200, duke i tejkaluar normat e lejuara.
Në këtë përkeqësim të cilësisë së ajrit, që rëndom ndodh gjatë stinës së dimrit, njohësi i çështjeve ambientit, Besnik Shabiu, thotë se ndikimin më të madh e kanë termocentralet, ndërsa shton se më të prekurat janë komunat e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.
“Prej ndotësve më të mëdhenj normalisht që janë termocentralet ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’ që janë edhe burimet kryesore të ngrohjes dhe të energjisë elektrike në të njëjtën kohë. Por kjo nuk do të thotë që edhe komunat e tjera nuk kanë problematika të ndotjes të ajrit, sepse prej faktorëve tjerë të rëndësishëm, burime të ndotjes janë edhe makinat”, ka thënë Shabiu. “Në vendin tonë janë përafërsisht 500 mijë makina që regjistrohen çdo vit e që janë makina të vjetërsuara, të cilat bëjnë një ndotje jashtëzakonisht të madhe”.
Shabiu i kritikon institucionet se nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret në funksion të përmirësimit të situatës.
“Fatkeqësisht gjatë këtyre viteve të fundit aspekti i përmirësimit të gjendjes së ajrit mbetet vetëm strategji në letër. Përveçqë kemi pasur rritje të disa stacioneve të monitorimit të ajrit, ku tash qytetarët e Kosovës munden me pa në kohë reale gjendjen e ajrit, nuk është që kemi pasur investime konkrete në përmirësimin e cilësisë së ajrit në përgjithësi”, ka thënë ai. “Tash po presim që Bashkimi Evropian ta bëjë një investim që do të ndikojë në ndryshimin e filtrave të termocentraleve ‘Kosova A’ dhe Kosova B”.
Me pasojat e cilësisë jo të mirë së ajrit përballen qytetarët.
Pulmologu Skënder Baca ka paralajmëruar se kjo situatë e përbën njërin prej faktorëve kryesorë që ndikon në dëmtimin e sistemit respirator te njerëzit.
“Ajri i ndotur si çdo vend në botë edhe në Kosovë ndikon në mënyrë të disfavorshme, e atakon dhe e dëmton traktin respirator, domethënë epitelin bronkial, duke filluar nga epiteli i hundës e deri te alveola. Dyoksidi i karbonit është kryesori. Pastaj është sulfuri dhe azoti, dhe këto i kemi në ambientin tonë, mirëpo në ambientin tonë ka shumë edhe plumb si metal i rëndë, i cili hyn nëpërmjet mushkërive, por kalon në gjak dhe e dëmton mëlçinë dhe organet e tjera”, ka thënë Baca.
Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, që është publikuar në nëntor të këtij viti, është shprehur alarmi se cilësia e ajrit në Kosovë nuk ka shënuar përmirësim gjatë vitit të fundit.