Lifestyle

Ndotja e ajrit mund të rrisë rrezikun për demencë

Demenca

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ndotësve të ajrit, sidomos nga makinat dhe stufat me dru, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar demencë, sipas një studimi të ri gjithëpërfshirës nga Universiteti i Cambridge, që u publikua në revistën The Lancet Planetary Health, ka raportuar The Guardian.

Sëmundja prek rreth 57 milionë njerëz në mbarë botën dhe pritet të arrijë të paktën 150 milionë raste deri në vitin 2050. Është raportuar se 55 milionë njerëz në mbarë botën, jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit. Simptomat përfshijnë humbje të memories, vështirësi për t’u përqendruar dhe ndryshime në gjendjen shpirtërore.

Studimi është realizuar nga njësia e epidemiologjisë e Këshillit të Studimeve Mjekësore në Universitetin e Cambridge dhe përfshin analizën sistematike të 51 studimeve të mëparshme, me të dhëna nga mbi 29 milionë pjesëmarrës që kishin qenë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit për të paktën një vit.

Studiuesit zbuluan një lidhje të qartë dhe statistikisht domethënëse mes tri llojeve të ndotësve dhe rrezikut të shtuar për demencë:

-PM2.5: grimca të imëta që vijnë nga gazrat e makinave, termocentralet dhe sobat me dru,

-Dioksidi i azotit (NO₂): që prodhohet nga djegia e karburanteve fosile,

-Çaulli (sooti): që vjen nga gazrat e makinave dhe djegia e drurit.

Për çdo rritje prej 10 mikrogramësh për metër kub të grimcave PM2.5 në ajër, rreziku për demencë rritej me 17%. Në vitin 2023, në pika të ndjeshme si qenda e Londrës, Birminghami dhe Glasgou, këto nivele janë arritur apo tejkaluar.

“Ky studim jep dëshmi të mëtejshme që ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit jashtë mund të jetë një faktor rreziku për fillimin e demencës te të rriturit që më parë ishin të shëndetshëm”, ka thënë doktoresha Haneen Khreis, autore kryesore e studimit.

Ajo ka shtuar se luftimi i ndotjes së ajrit mund të sjellë përfitime afatgjata shëndetësore, sociale, klimatike dhe ekonomike.

“Mund të zvogëlojë barrën e madhe mbi pacientët, familjet dhe kujdestarët, si dhe të lehtësojë presionin mbi sistemet shëndetësore që janë tashmë të mbingarkuara”, ka thënë ajo.

Ndotja besohet të ndikojë në zhvillimin e demencës duke shkaktuar inflamacion të trurit dhe stres oksidativ, një proces që dëmton qelizat, proteinat dhe ADN-në në trup.

“Ky rishikim i thelluar shton dëshmi të forta që ndotja e ajrit – qoftë nga makinat apo sobat me dru – rrit rrezikun për të zhvilluar demencë”, ka thënë doktoresha Isolde Radford nga organizata Alzheimer’s Research ne Britani.

Ajo ka theksuar se ndotja e ajrit është një nga faktorët kryesorë dhe të modifikueshëm të rrezikut për demencë, por nuk është diçka që mund ta zgjidhin individët vetëm.

“Është e domosdoshme udhëheqja nga qeveria”, ka thënë doktoresha.

Sipas saj, megjithëse plani 10-vjeçar shëndetësor i qeverisë britanike e njeh ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndet, “duhet bërë shumë më tepër për të luftuar këtë kërcënim të padukshëm”.

Studiuesit pranuan gjithashtu se një kufizim i studimit ishte përfshirja kryesisht e pjesëmarrësve të bardhë nga vende me të ardhura të larta. Ata bënë thirrje që studimet e ardhshme të përfshijnë më shumë komunitete të margjinalizuara dhe të ndryshme etnike.