Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mustafa pyet nëse institucionet do të reagonin njëjtë nëse fëmija i vrarë do të ishte shqiptar ose serb

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhje me vrasjen e një fëmije rom, e cila ndodhi disa ditë më parë.

Ai thotë se lajmi për vrasjen e tij nuk po arrin të bëhet lajm pavarësisht trajtimit të tij nga mediet në vend.

Sipas Mustafës, një vrasje monstruoze e një qenie njerëzore, e një qytetari të pafajshëm e të varfër që bukën e siguronte nga mbledhja e kanaqeve, vështirë se po depërton në ndërgjegjen shoqërore, e më së paku në përgjegjësinë shtetërore.

Ai thotë se çdo temë duket se është më e rëndësishme sesa përdhunimi dhe vrasja makabre e një fëmiu të pafajshëm nga një kriminel i njohur për organet e rendit, e se vuajtja e një nëne.

“Nuk mundem e mos ta shtroj pyetjen sesi do të silleshim ne të gjithë po të ishte ai fëmijë i një qeveritari, i një parlamentari, i një polici, i një prokurori?! Po të ishte fëmijë shqiptar? E lere, po të ishte serb, që do të kumbonin kambanat e të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Është një fëmijë rom. Ashtu siç ishte një rome e shkretë që u rrah mizorisht në publik në Lipjan dhe në Ferizaj”, thotë ai.

Sipas Mustafës, nuk mund të arsyetohet neglizhenca e policisë, e prokurorisë dhe e zyrtarëve të tjerë që nuk kanë ndërmarrë masa për ta mbrojtur një qytetar të pambrojtur të këtij vendi, duke shtuar se edhe ata janë përgjegjës.

Edhe Mustafa thotë se drejtësia nuk bëri asgjë që të zbulohen vrasjet e gazetarëve në Kosovë Arbëri Mustafa thotë se drejtësia nuk bëri asgjë që të zbulohen vrasjet e gazetarëve në Kosovë

“Unë i përgëzoj mediat për qasjen e tyre profesionale në trajtimin e këtij rasti, për përpjekjet e tyre për ta zbardhur vdekjen e këtij fëmiu, sepse po të mos ishin mediat, sa për të tjerët, për ti ikur përgjegjësisë ishte konstatuar, vetëm, se një fëmijë u gjet i vdekur te do shkallë në rrethana të panjohura. Dhe pikë.
Por ku jemi ne, ku janë institucionet që po heshtin, ku është shoqëria civile? Askund. Duhet të na vrasë ndërgjegjja. ”, shkruan tutje ai.

Sipas tij, shteti dhe shoqëria që lejon dhe sillet në mënyrë indiferente ndaj përdhunimit dhe vrasjes së fëmijëve të vet nuk i ka punët mirë.