Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve në kërkime dhe inovacion në Kosovë, duke thënë se vendi ndodhet në fund të listave globale për aftësinë inovative. Deklaratat ai i bëri në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË.
Gjatë diskutimit, Surroi e pyeti Mustafën se cilat do të ishin tri rekomandimet për kryeministrin e ardhshëm, me fokus në ekonomi. Mustafa u shpreh se pika kryesore është ndërtimi i një vizioni dhe strategjie të qartë zhvillimore, e cila duhet të mbështetet në një platformë të gjerë politike e shoqërore.
“Duhet me kriju një konsensus, me qenë një përkushtim i shoqërisë për me i tejkalu prapambetjet”, ka thënë ai, duke shtuar se përpos vizionit, Kosova duhet të ndërmarrë ndryshime radikale në zhvillimin teknologjik, kërkime dhe inovacione.
Mustafa theksoi se Kosova sot investon vetëm 0.01% të produktit të brendshëm bruto (GDP) në kërkime dhe inovacion, shumë më pak se mesatarja rajonale dhe ajo evropiane.
“Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 0.5%, e Evropës 1.2%, e Amerikës 1.7%, ndërsa vendet e Azisë shkojnë mbi 2%”, deklaroi ai.
Ai përmendi edhe të dhënat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova dhe Shqipëria renditen në fund të listës sa i përket aftësive për inovacion.
“Mu po më vjen marrë me kallxu”, u shpreh Mustafa, duke folur për përfshirjen e projekteve kosovare në programet Horizon dhe Tech të Komisionit Evropian.
Sipas tij, edhe pse në vitin 2023 është miratuar Programi Nacional për Kërkime Shkencore dhe është krijuar një bord i posaçëm, “ende s’ka fillu zbatimi i tij”.
Mustafa theksoi se pa investim serioz në inovacion, Kosova nuk mund të shënojë përparim të qëndrueshëm ekonomik.