Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar publikimin e fundit të Bakës Botërore për rritjen ekonomike, duke thënë se nuk ka vend për shqetësim. Ai theksoi se për indekse të shumta Kosova është e para në rajon. Banka Botërore parashikon ngadalësim të ngritjes ekonomike krahasuar me vitin e kaluar për 0.6 për qind në krahasim me vitin e kaluar (nga 4.4 në 3.8 për qind)
Parashikimet e Bankës Botërore për tkurrje prej 0.6 për qind të rritjes ekonomike, sipas njohësve të ekonomisë, duhet të shërbejnë si alarm për institucionet e vendit. Rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2025 parashihet të jetë më e ngadaltë sesa vitin e kaluar, duke rënë nga 4.4 në 3.8 për qind, në bazë të raportit më të fundit të Bankës Botërore.
Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, thotë se krahas trendëve globalë, kontribuuese në tkurrjen e rritjes ekonomike është edhe kriza politike.
“Normalisht që ne dalim pak që po prijmë me normat e rritjes ekonomike krahasuar me vendet e rajonit për këtë arsye, mirëpo jo doemos këto vlera që janë në aspektin makroekonomik tregojnë shumë edhe për nivelin e jetesës në vend. Të hyrat për kokë banori në Kosovë nuk janë as sa 15 për qind e mesatares së Bashkimit Evropian, që flet shumë për kualitetin dhe standardin e jetesës sonë”, tha Hasaj.
Ai ka kritikuar institucionet për mosinvestime në sektorin e energjisë dhe mosnxitje të produktivitetit në ekonomi.
“Nuk jemi duke bërë shumë për fat të keq në rritjen e produktivitetit në ekonomi, na mungojnë trajnime, rritje shkathtësish, programe edukimi që e reflektojnë nevojën që e kanë treguar dhe raportet. Duke e përfshirë edhe këtë të Bankës Botërore, raportet tregojnë për nivel shumë të ulët të produktivitetit në ekonominë tonë, andaj mendoj që është problem që të vetëmjaftohemi me këto vlera makroekonomike për të folur për progresin që mund ta kemi ose jo si vend”, tha Hasaj.
Ndryshe e ka lexuar raportin e Bankës Botërore kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai tha se Kosova është vazhdimisht në krye të listave për Ballkanin Perëndimor.
“Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’u ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit, por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpeshherë për aq shumë indekse edhe të demokracisë, edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, ka thënë ai gjatë vizitës në KEK.
Kryeministri në detyrë deklaroi po ashtu se qytetarët nuk duhet të merakosen.
“Në katër vjetët e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë, por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, tha Kurti.
Në raportin e BB-së për Kosovën përmendet shifra e lartë e personave që nuk janë në punë dhe shifër e ulët në shkollim e trajnime. Po ashtu konstatohet pjesëmarrje e ulët e grave në tregun e punës – sa gjysma e pjesëmarrjes së burrave.
Në raportin e Bankës Botërore thuhet po ashtu se pasiguria politike mund t’i vonojë reformat në rajon, veçanërisht ato që lidhen me zhbllokimin e fondeve të BE-së.
Si problem përmendet edhe inflacioni, për të cilin thuhet se nga gushti i 2024-s në atë të 2025-tës inflacioni i çmimeve të ushqimit është 10 për qind më i lartë. Banka Botërore parasheh që Kosova do ta ketë uljen e rritjes ekonomike më të lartë në rajon pas Serbisë – e cila ka pësuar rënie nga 3.9 në 2.8 për qind apo 1.1 për qind. Vetëm për Maqedoninë dhe Malin e Zi, BB-ja ka paraparë përshpejtim të rritjes ekonomike për vitin 2025.