Ekonomi

Banka Botërore parashikoi ngadalësim të zhvillimit ekonomik, Kurti: S’ka vend për brengosje

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të vjeshtës 2025, nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind. Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027 tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.

Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku ka thënë se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

“Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se në katër vjetët e fundit rritja mesatare ekonomike ka qenë 6 për qind.

“Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, ka shtuar kryeministri në detyrë.

Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore.