Në episodin e 34-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është një prej ekspertëve më eminent të ekonomisë, Muhamet Mustafa. (Pjesa e tretë)
Surroi: Rambujeja ishte minuta larg dështimit, historia e Kosovës do të ishte krejt ndryshe
Publicisti Veton Surroi ka thënë se në negociatat e Rambujesë delegacioni kosovar ka qenë “disa minuta larg dështimit”, çka sipas tij do të kishte ndryshuar tërësisht rrjedhën historike të vendit.
Gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Muhamet Mustafën, ekspertin e ekonomisë, Surroi kujtoi se në dy momentet historike kryesore për Kosovën ka pasur thirrje për unitet, por shpesh të nxitura nga faktorët e jashtëm.
“Në Rambuje ne jemi bashkuar, sepse në masë të madhe e kanë kërkuar amerikanët. Ata kanë dalë si garantues të bashkimit tonë”, rrëfeu ai.
Ai tregoi se delegacioni kosovar, edhe pse funksionoi si ekip, ka qenë shumë afër prishjes së marrëveshjes për shkak të mospajtimeve të brendshme.
“Në Rambuje ne kemi qenë shumë afër dështimit, disa orë larg dështimit, disa minuta larg dështimit”, u shpreh Surroi, duke theksuar se edhe prania e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, nuk do të kishte qenë e mjaftueshme pa vullnet të brendshëm politik.
Sipas tij, momenti kritik u zgjidh vetëm pasi propozoi një formulë kompromisi që u pranua nga të gjithë.
“E pranonim dokumentin dhe e pranonim pa ndryshime, për të mos hyrë në rinegociim që do ta zbehte dokumentin. Kjo e shpëtoi pozicionin tonë politik”, ka thënë Surroi, duke kujtuar përgjigjen që ia dha ministrave të Jashtëm, mes tyre edhe italianit Lamberto Dini, i cili ishte kundërshtues ndaj delegacionit kosovar.
Ai vlerësoi se përkundër vullnetit të mirë të fuqive të mëdha, bashkimi nuk është i mundur pa gatishmërinë e brendshme.
“As vullneti i mirë i superfuqisë nuk mund të të detyrojë për bashkëpunim nëse ti nuk do”, shtoi Surroi.
Surroi foli edhe për procesin e Vjenës, duke thënë se funksionoi më mirë pasi u zhvillua në rrethana tjera, pa rrezik për jetën dhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.
Mustafa: Kosova investon vetëm 0.01% të GDP-së në inovacion, më pak se çdo vend në rajon
Eksperti i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka ngritur shqetësimin për mungesën e investimeve në kërkime dhe inovacion në Kosovë, duke thënë se vendi ndodhet në fund të listave globale për aftësinë inovative. Deklaratat ai i bëri në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË.
Gjatë diskutimit, Surroi e pyeti Mustafën se cilat do të ishin tri rekomandimet për kryeministrin e ardhshëm, me fokus në ekonomi. Mustafa u shpreh se pika kryesore është ndërtimi i një vizioni dhe strategjie të qartë zhvillimore, e cila duhet të mbështetet në një platformë të gjerë politike e shoqërore.
“Duhet me kriju një konsensus, me qenë një përkushtim i shoqërisë për me i tejkalu prapambetjet”, ka thënë ai, duke shtuar se përpos vizionit, Kosova duhet të ndërmarrë ndryshime radikale në zhvillimin teknologjik, kërkime dhe inovacione.
Mustafa theksoi se Kosova sot investon vetëm 0.01% të produktit të brendshëm bruto (GDP) në kërkime dhe inovacion, shumë më pak se mesatarja rajonale dhe ajo evropiane.
“Mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 0.5%, e Evropës 1.2%, e Amerikës 1.7%, ndërsa vendet e Azisë shkojnë mbi 2%”, deklaroi ai.
Ai përmendi edhe të dhënat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova dhe Shqipëria renditen në fund të listës sa i përket aftësive për inovacion.
“Mu po më vjen marrë me kallxu”, u shpreh Mustafa, duke folur për përfshirjen e projekteve kosovare në programet Horizon dhe Tech të Komisionit Evropian.
Sipas tij, edhe pse në vitin 2023 është miratuar Programi Nacional për Kërkime Shkencore dhe është krijuar një bord i posaçëm, “ende s’ka fillu zbatimi i tij”.
Mustafa theksoi se pa investim serioz në inovacion, Kosova nuk mund të shënojë përparim të qëndrueshëm ekonomik.
Mustafa: Kosovarët dështuan në biznes në Shqipëri për shkak të kaosit dhe sjelljes joracionale
Në episodin e podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi ka zhvilluar bashkëbisedim me ekspertin e ekonomisë, Muhamet Mustafa, ku një nga temat kryesore ka qenë dështimi i bizneseve të kosovarëve në Shqipëri në vitet e para pas ’90-s.
Sipas Mustafës, arsyet kryesore lidhen si me ambientin e brendshëm të Shqipërisë në atë periudhë, ashtu edhe me qasjen e vetë kosovarëve.
“Ka qenë një sjellje jo shumë racionale e jona, ka qenë më shumë një përpjekje prej shqiptarit sesa një përpjekje prej biznesit”, ka thënë Mustafa, duke theksuar se mjedisi ekonomik në Shqipëri ka qenë i paparashikueshëm dhe i dominuar nga struktura jolegale.
Ai shtoi se “mjedisi biznesor ka qenë kaotik, nëntoka ka qenë e fuqishme dhe ka kontrolluar shumë leva të biznesit, kështu që shumë kosovarë nuk kanë mundur të inkuadrohen dhe një pjesë e madhe nuk kanë pasur sukses”.
Surroi ndërkohë theksoi se kosovarët nuk e kanë kuptuar se, në atë kohë, ata konsideroheshin investitorë të huaj.
“Nuk ke pasur investitorë të huaj që kanë bërë diçka në Shqipëri ato vite. Ka ekzistuar një atmosferë për të mos lejuar hyrjen e investitorit”, u shpreh ai.
Mustafa pranoi se një pjesë e kosovarëve, sidomos në fillim të viteve ‘90, kanë shfaqur sjellje të papërshtatshme.
“Pak janë sjellë me prepotencë… u krijua njëfarë antipatie, edhe me fajin tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se ka pasur “pak mungesë neutraliteti” politik në përcaktimin e raporteve me partitë në Shqipëri.
Sipas tij, si kosovarët ashtu edhe shqiptarët duhet të ruajnë neutralitet politik në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, e jo “tifozllëk me një parti apo tjetrën”.