Rezultati elektoral dhe orientimi politik i Lidhjes Demokratike ka përfshirë në polemikë nga distanca dy figura të larta të kësaj partie. Ish-kryetari Isa Mustafa e kritikoi atë aktual se mbeti në krye të partisë me gjithë rezultatin e dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kritikë ai pati edhe për orientimin politik të partisë. Në të gjitha këto, përgjigje dha udhëheqësi aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku
Një javë pasi e mori votëbesimin në Kuvendin e partisë, kryetari i konfirmuar i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, është kritikuar nga bashkëpartiaku e ish-udhëheqësi i subjektit, Isa Mustafa.
Në një intervistë për KosovaPressin, Mustafa, i cili është edhe kryetar nderi i LDK-së, theksoi se Abdixhiku nuk do të duhej të mbetej kryetar pasi nuk i ka sjellë rezultat të mirë partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
E për këtë, sipas tij, krahas Abdixhikut do të duhej që reflektimi të bëhej edhe në Kuvendin e LDK-së.
“Në qoftë se zëri i qytetarëve ka ardhur deri aty që LDK-në prapë me e kthy në 13 për qind, aty ku ka qenë atëherë kur unë kam dhënë dorëheqje, atëherë kjo ka merituar tjetër qasje edhe të Kuvendit, që Kuvendi të reflektojë, jo që ta shkarkojë apo mos ta shkarkojë zotin Abdixhiku, mirëpo të reflektojë se çfarë duhet bërë më vonë””, ka thënë Mustafa.
Ai pati kritikë edhe për orientimin ideologjik të partisë, teksa theksoi që në LDK-në e së sotmes ka pasur imitim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“S’i lejohet kurrkujt që të dalë edhe ta lë përshtypjen, të thotë: ‘Unë jam Rugovist’. Kur ta pashë, kur del e flet për çështje, ai flet për ndihma sociale, flet që Albin Kurti do t’i rrisë pagat minimale në 500 euro, ne do t’i rrisim 700. E po atëherë ti s’je, s’je as i djathtë, as i qendrës së djathtë, po ti politikat po i zhvillon të majta”, ka thënë Mustafa.
Këto deklarata nxitën reagimin e Abdixhikut. Ai, në një postim në Facebook, tha se sulmet ndaj tij, ndaj LDK-së, familjes Rugova dhe strukturave të partisë janë pasojë e mbylljes së një kapitulli politik dhe humbjes së rolit të prapaskenave.
“Zi e terr për gjithçka në LDK, lëvdata për secilin kundërshtar të saj. Kjo ndodh gjithmonë kur prapaskena mbetet pa rol, kur skemat e errëta nuk gjejnë më derë, dhe kur anëtarësia, me një qetësi që nuk shet shpirtin, e mbyll kapitullin. Vendimi i lirë dhe i drejtë i anëtarësisë është gjithmonë i rëndë për ata që janë mësuar ta injorojnë e mbysin atë. Që, në vend të maturisë, ndihmesës dhe këshillëdhënies në kohë të vështira zgjedhin të përbaltin dhe të hapin kriza me çdo kusht”, ka shkruar Abdixhiku. “Papjekuri! Shpesh e pyes veten se si do të dukej kjo shtëpi politike sot, sikur e gjithë kjo përvojë do të ishte pranë nesh, e jo përballë”.
Abdixhiku ka shkruar se Kuvendi i LDK-së nuk ishte thjesht një ngjarje demokratike, por një shkëputje e qartë mes një kohe që kërkonte kontroll pa parim dhe një kohe që kërkon rimëkëmbje dhe përgjegjësi.
“Prej asaj dite, kjo shtëpi e madhe e jona ecën përpara me njerëzit e saj, me besimin e vet dhe me dinjitetin e zgjedhjes së lirë - dhe, ju pëlqeu a s’ju pëlqeu disave, s’ka më asgjë që e ndal këtë mbarësi”, ka shkruar kryetari i LDK-së, në kundërpërgjigjen ndaj Mustafës. “Rrugët që kthehen mbrapa nuk janë më tonat. Të gjithë do të pensionohemi një ditë; por jo nga dinjiteti, dhe jo nga njerëzorja. Ato duhet t’i ruajmë. Sepse fundi i rolit nuk është fundi i botës; është thjesht pranim i kohës që ka ecur përpara”.
Abdixhiku u konfirmua kryetar i LDK-së më 31 janar, në Kuvendin e partisë që u mbajt pasi ai e ofroi dorëheqjen në shenjë reflektimi ndaj rezultatit të dobët zgjedhor. Por, mori kritika nga shumë eksponentë, meqë dorëheqja nuk ishte e pakthyeshme.