Juristi Skender Musa ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po bën politikë të dobët kur përpiqet të kritikojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas përplasjeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje me Ramën në prag të protestës në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas Musës, Kurti nuk e ka kapacitetin intelektual dhe politik të Edi Ramës.
“Është një politikë e dobët që të kritikojmë një lider të fortë të shqiptarëve dhe të paraqitem sikur më i avancuar dhe tash u pa që edhe në aspektin intelektual - se ne që e kemi njohur edhe para luftës e kemi ditur që s’ka kurrfarë kapaciteti intelektual dhe politik - për t’u paraqitur tash në nivel të Edi Ramës apo atyre të Shqipërisë. Nivelin intelektual, lidhjet me Evropë, lidhjet me botë, njëqind herë më të forta i ka Edi Rama”, ka thënë Musa në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Musa ka thënë se Kurti i ka gjetur të gatshme raportet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. E sipas tij, sot nuk ekziston ky perceptim për raportet.
Ai ka kritikuar përfaqësimin diplomatik të Kosovës viteve të fundit. Ka thënë se pos vizitave “të parëndësishme dhe më tepër për të bërë reklamë” të presidentes Vjosa Osmani, “në aspektin diplomatik nëpër vendet e BE-së dhe të SHBA-së, Kosova është shumë keq e përfaqësuar”.
