Avokati Skender Musa e ka vlerësuar të turpshme komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje ku akuzohet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, se ka qenë njëri nga lobuesit kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale, në prag të protestës që do të mbahet në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka thënë se Vetëvendosja po vepron pa asnjë etikë.
“Po më pëlqen shumë që e ka bërë këtë deklaratë, për shkak se asnjë qytetar, jurist jo se jo, asnjë jurist nuk mashtrohet ta shohë këtë shkrim seriozisht shumë të turpshëm. Po më duket sikur ato letrat e Isa Toptanit, këta po veprojnë jashtëzakonisht pa asnjë etikë”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Ai tutje ka thënë se nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk e ka ngritur si çështje zhbërjen e kësaj gjykate në organizatat ndërkombëtare.
“E ka ngritur Shqipëria në Këshill të Evropës, e ka ngritur Edi Rama, e ka nxjerrë rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë mirëpo në pyetje të drejtpërdrejt deputetëve të Kuvendit të Kosovës, edhe të Vetëvendosjes e edhe të partive të tjera, cila rezolutë është aprovuar me propozim të këtyre njerëzve që kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që të kërkohet drejtësi, jo anulim sepse nuk anulohet gjykata, nuk zhbëhet ajo. Është procesi në përfundim e sipër. Janë akuza serioze që në ato akuza nuk përlyhet vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës por edhe ne që jemi në studio, të gjithë qytetarët, kombi shqiptar, shtetësia e Kosovës. Atje po gjykohet njeriu që e ka shpallur pavarësinë, njeriu që ka udhëhequr negociatat në Rambuje, njeriu që ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm që vetë zyrtarët amerikanë po thonë se ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës dhe i UÇK-së në atë periudhë kohore”, ka thënë ai.
