Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se ka qenë njëri nga lobuesit kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Rama është kundërpërgjigjur duke i cilësuar akuzat si politike dhe të nxitura nga gara për balotazh në Kosovë. Përplasja është bërë në prag të protestës në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së
Partia më e madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, që kryetar e ka kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është përfshirë në një polemizim online me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Të premten, në Tiranë do të mbahet protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që për akuzat për krime lufte po gjykohen në Hagë.
Rama e ka përkrahur këtë protestë. Por Vetëvendosja, në faqen e partisë në Facebook, e ka akuzuar atë se ka qenë njëri ndër lobuesit më të mëdhenj për themelimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vetë kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj gjykate”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes.
Në postimin e Vetëvendosjes thuhet po ashtu se Shqipëria ka përgjegjësi të shfrytëzojë praninë e saj në OKB, Këshill të Evropës, e NATO që çështjen e gjykimit në Hagë ta ngrejë në këto organizata e jo në sheshin “Skënderbe”, në Tiranë.
E Rama, në kundërpërgjigjen e tij, është shprehur se akuzat ndaj tij janë bërë për efekte elektorale, meqë zgjedhjet lokale në Kosovë nuk kanë përfunduar.
Po ashtu ai ka thënë se Specialja është themeluar pas akuzave për trafikim organesh nga UÇK-ja.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama në kundërpërgjigjen e tij, të postuar në rrjetin “X”.
Me kaq nuk ka përfunduar polemika Prishtinë – Tiranë.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, në një postim në Facebook, i ka kërkuar Ramës t’u përgjigjet pretendimeve se ka udhëtuar për në Kosovë për t’i bindur deputetët ta votojnë themelimin e Speciales.
“Më konkretisht ai mund të tregojë: 1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyrë ai themelimin e Gjykatës Speciale? 2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV-së rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj? 3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë?”, ka shkruar ndër të tjera Manxhuka.
Ndërkohë, në Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së kanë thënë se përmes nxitjes së këtij debati, Vetëvendosje po mundohet ta minimizojë protestën, si dhe ta politizojë atë.
“Kjo protestë nuk është e asnjë partie politike – ajo është zëri i popullit shqiptar, zëri i veteranëve, i familjeve të dëshmorëve dhe i gjithë atyre që nuk pajtohen me padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. Nuk ka forcë politike që mund ta ndalë apo ta përvetësojë këtë zë. OVL e UÇK-së nuk lejon dhe nuk do të lejojë që lufta e shenjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përdoret për interesa partiake. Ne nuk kërkojmë retorikë politike, kërkojmë drejtësi për luftëtarët tanë dhe ndëshkim për krimet e Serbisë. Protesta e Tiranës është protestë e kombit, jo e partive”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK-së.
Kjo organizatë ka falënderuar Qeverinë e Shqipërisë dhe kryeministrin Edi Rama për mbështetjen e dhënë.
Po ashtu, OVL e UÇK-së ka njoftuar se në periudhën 17 tetor, ora 9:00 – 18 tetor, ora 9:00, nuk do të ketë pagesë në Rrugën e Kombit.
Protesta kundër Gjykatës Speciale e në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit që po gjykohen në Hagë, janë mbajtur në gusht në Prishtinë, e në shtator te selia e Speciales në Holandë.
Në fakt, përplasjet Kurti-Rama kanë një historik të gjatë. Kanë nisur të theksohen në kohën kur është plasuar ideja e Ballkanit të Hapur, nismë që Shqipëria e ka përqafuar e Kosova e ka refuzuar, pastaj kanë vazhduar me pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri e kanë kulmuar me anulimin e mbledhjes së dy qeverive nga Tirana zyrtare, që është vlerësuar edhe si sanksion ndaj Kosovës për zhvillimet në veri gjatë vitit 2023. Në të njëjtën kohë sanksione ka vënë edhe Bashkimi Evropian dhe ato janë ende në fuqi.