Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Pas një sinjalizimi, LVV-ja e çon në Prokurori Ramën, me dyshimin për legalizime të kundërligjshme

Perparim Rama

Lëvizja Vetëvendosje e ka çuar në Prokurori kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Kallëzimi bazohet në një sinjalizim, i cili flet për legalizime të kundërligjshme të objekteve, që në kryeqytet kanë ndërtuar disa kompani. Zyrtarët komunalë të apostrofuar e edhe përfaqësuesit e kompanive, nuk u janë përgjigjur pyetjeve mbi pretendimet e shprehura nga sinjalizuesi

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berita Abazi, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, me pretendimin për përfshirje në legalizime të kundërligjshme të objekteve.

Kallëzimi penal është bazuar në një sinjalizim anonim, i cili, sipas Abazit, është pranuar një ditë më parë përmes emailit.

“Ne sot jemi këtu, para Prokurorisë Speciale, për të dorëzuar një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të lartë të kabinetit të Përparim Ramës dhe vetë Përparim Ramës, për shkak të një sinjalizimi, të cilin e kemi pranuar mbrëmë pasdite nga një sinjalizues anonim”, ka thënë Abazi të enjten. “Në këto mesazhe, personi në fjalë, përveç se përmend kompani ndërtimi dhe objekte ndërtimi, përmend edhe shuma parash dhe vetë pretendon se këto legalizime janë të jashtëligjshme. Ky është një skandal i madh. Këto keqpërdorime, këto legalizime të jashtëligjshme, janë kriminalitet në nivel të lartë. Është detyrë e Prokurorisë të vërtetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta”, ka shtuar ajo.

Të mërkurën edhe KOHA ka pranuar një informatë të këtillë nga një sinjalizues që nuk e ka bërë të ditur identitetin.

Ai ka listuar një numër akuzash dhe ka bashkëngjitur komunikime që pretendohet se i përkasin një zyrtari të komunës të afërt me kryetarin Rama dhe përgjegjës që nga viti 2025 në drejtoritë e kadastrit dhe urbanizmit.

Edhe Dyshimet për legalizime të kundërligjshme, Rama paralajmëron masa ndaj kujtdo që rezulton se e ka shkelur ligjin Arbëri Dyshimet për legalizime të kundërligjshme, Rama paralajmëron masa ndaj kujtdo që rezulton se e ka shkelur ligjin

Në komunikimet e përfshira në sinjalizim flitet për pretendime për legalizime të kundërligjshme të disa objekteve dhe tri kompani ndërtimi. Përmendet edhe marrja e ryshfetit prej 30 mijë eurosh nga një kompani tjetër, ndonëse i kishte kushtet e legalizimit te plotësuara.

KOHA ka dërguar pyetje në numrat e kontaktit që kompanitë i kanë të publikuar në platforma online, përfshirë në ARBK, por deri në publikimin e stories nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as zyrtari në fjalë e as Komuna e Prishtinës.

Në kopjet e komunikimeve të pretenduara ka përmbajtje që tregojnë se zyrtari ka fshehur prona, duke i regjistruar ato në emër të familjarëve.

Edhe Komuna e Prishtinës: Do të marrim masa ndaj përgjegjësve, nëse vërtetohen dyshimet për legalizime të kundërligjshme Arbëri Komuna e Prishtinës: Do të marrim masa ndaj përgjegjësve, nëse vërtetohen dyshimet për legalizime të kundërligjshme

E, në një postim në rrjetet sociale, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar këtë si aksion propagandues kundër tij, në ditën kur mblidhet Kuvendi i LDK-së dhe Rama është përmendur si kandidat i mundshëm për kryetar të partisë.

Ilirjana Thaqi