Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ata që e kanë themeluar Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar, teksa është zotuar se e mbështet “Marshin për Liri” të organizuar më 12 shtator.
Partia më e madhe në Kosovë ka thënë se në këtë ditë do të marshojë “kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.
Platforma “Liria ka Emër” gjatë ditës njoftoi se prej katër kryetarëve të partive më të mëdha shqiptare në Kosovë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, por edhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, nuk i janë përgjigjur thirrjes për të mbajtur fjalim.
Ky marsh organizohet në kryeqytet, katër ditë para se Specialja të shpalosë vendimin ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, që po akuzohen për krime lufte.
Në një publikim në Facebook, faqja e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se “themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës”.
“Mbështetje “Marshit për Liri” – ata që themeluan Gjykatën Speciale duhet t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar. Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet Marshin për Liri, që mbahet më 12 shtator në Prishtinë”, thuhet në hyrje të reagimit të VV-së.
Edhe
LVV: Rama të tregojë pendesë, kishte ardhur me helikopter për t’i bindur palët të votonin për themelimin e Speciales
Tutje, VV-ja në reagim ka theksuar se Specialja e ka padrejtësinë në themel të saj.
“Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje. Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë. Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare. Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim dhe hapi rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme”, thuhet në reagim.
Vetëvendosje ka shtuar se Rusia nuk ka mundur ta merrte një vendim për themelimin e Speciales si e vetme e se këtë kanë mundur ta pengonin Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca.
-
“Liria ka Emër” fton për pjesëmarrje në marsh, Kurti e Abdixhiku s’i përgjigjen ftesës për fjalim
-
Kategoritë e dala nga lufta: S’qëndrojmë duarkryq nëse vendimi i Speciales do të jetë politik
-
Jashari: Para 16 shtatorit nuk do të ketë rezultate të caktuara
-
Gucati: E mbështesim marshin e 12 shtatorit, por s’mund të jemi aty ku ftohet VV-ja