Përfaqësuesit e platformës “Liria Ka Emër” apeluan që institucionet t’i miratojnë sa më shpejt ndryshimet në Ligjin për Specialen, të propozuara nga PDK-ja. Ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e së enjtes, që është planifikuar të nisë nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar verdiktin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Duke kujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka thënë se 29 vjet më vonë qytetarët do të mblidhen sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të enjten, në orën 16:00, të mblidhen në sheshin “Skënderbeu”, për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.
“Më 1 tetor 1997, studentët e universitetit të Prishtinës dolën në rrugë për të kërkuar të drejtën për universitetin dhe arsimimin e tyre, të drejtat për liri, të drejtat për shqiptarët. Protesta u shtyp me dhunë nga policia serbe, ndaj nesër, 29 vjet më vonë, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë në ora 16:00, qytetarët e Kosovës do të mblidhen përsëri për të kërkuar drejtësi”, ka bërë të ditur Tasholli.
Thirrje për pjesëmarrje në protestë ka bërë edhe Arbnora Zogjani. Ajo ka treguar se tubime masive do të mbahen edhe në perëndim.
Zogjani i ka ftuar edhe mërgimtarët që të marrin pjesë në protestën e 10 tetorit, e planifikuar të mbahet në Bruksel.
“Në ditët më të vështira, mërgata shqiptare ka qenë pranë Kosovës me mbështetje, organizime dhe solidaritet. Edhe sot, në një moment kur zëri ynë duhet të dëgjohet, ajo po tregon se është e gatshme të mobilizohet. Në vazhdën e protestave që po mbahen gjithandej nëpër botë, më 10 tetor në Bruksel mbahet protesta e radhës e organizuar nga diaspora jonë shqiptare. Prandaj u bëj thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të jenë pjesë e kësaj proteste”, ka thënë Zogiani.
Krahas thirrjes për pjesëmarrje në protesta, përfaqësues të platformës “Liria ka Emër” kërkuan veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi, në funksion të miratimit të ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, të sponsorizuar nga Partia Demokratike.
“Projektligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara tashmë është dërguar në kuvend, ai duhet të shqyrtohet dhe procedohet me seriozitetin që kërkon kjo situatë. Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”, është shprehur Tasholli.
Ndryshimet ligjore të propozuara nga PDK-ja janë në proces vlerësimi në Qeveri. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe vlerësimi ligjor e edhe ai financiar, do t’i bëhen brenda javës kësaj nisme ligjore.
Ndërkaq, PDK-ja ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e trupave të Kuvendit, për aq kohë sa ndryshimet që i ka propozuar, të mos miratohen.
Dokumenti nuk është publikuar ende, por bazuar në deklarata publike, ai parasheh kufizim të mandatit të Speciales, mundësinë e zhvendosjes së Dhomës Supreme nga Haga në Prishtinë, e po ashtu ta vendosë mundësinë e faljes nga ana e presidentit për të dënuarit nga Specialja.
Që nga 16 shtatori, kur u kumtua dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë janë ndërmarrë një numër nismash kundër speciales, përfshirë edhe protestat.