Platforma “Liria ka emër” ka ftuar për marsh më 1 tetor në Prishtinë dhe jashtë Kosovës, në mbështetje të katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që javën e shkuar u dënuan me 81 vjet burgim për krime lufte. Kjo platformë ka bërë të ditur po ashtu se do të iniciohet një peticion qytetar për ta dërguar simbolikisht në Bruksel, Strasburg e Hagë, si shprehje e qëndrimit qytetar. Të dyja do të bëhen nën moton “Jo në emrin tim”.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të kësaj platforme kanë kërkuar angazhim dhe koordinim të institucioneve të Kosovës, pas shpalljes së aktgjykimit dënues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin nga Gjykata Speciale në Hagë, më 16 shtator.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli i ka bërë thirrje spektrit politik, diplomatëve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe mërgatës të bëhen pjesë e një përpjekjeje të koordinuar lidhur me këtë proces.
“Sot nuk jemi këtu për pushtet e opozitë. Nuk jemi këtu për të hapur betejat e djeshme politike. Sot duhet të jemi bashkë. Përpara nesh është një proces vendimtar dhe një fazë e re juridike. Prandaj kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të veprojnë me përgjegjësi, koordinim dhe transparencë. Qeveria duhet të na tregojë qartë: Cili është plani? Cila është strategjia shtetërore? Çfarë mbështetjeje juridike dhe financiare do të ofrohet? Çfarë do të bëjë diplomacia e Kosovës? Si do të angazhohen institucionet akademike dhe ekspertët ndërkombëtarë?”, ka thënë ai.
Tasholli ka bërë thirrje edhe për një mbledhje urgjente të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë.
“Me një pikë të rendit të ditës, mbështetjen institucionale për mbrojtjen e luftës së UÇK-së dhe sigurimin e financimit të nevojshëm për mbrojtjen juridike. Sepse, në këto momente nuk duhet të ketë Prishtinë e Tiranë që shikojnë larg njëra-tjetrën. Duhet të ketë një tavolinë, një koordinim dhe një përgjegjësi të përbashkët institucionale”, ka thënë ai.
Ndërkaq, përfaqësuesja tjetër, Eliza Hoxha, ka thënë se 1 tetori nuk është zgjedhur rastësisht si datë e marshit.
“Më 1 tetor 1997, studentët e Kosovës dolën në rrugë në një protestë paqësore që mbeti një nga momentet simbolike të rezistencës qytetare. Më 1 tetor, ne do të dalim përsëri paqësisht, me një mesazh të përbashkët: JO NË EMRIN TIM. Më 10 tetor, kjo thirrje do të vazhdojë në Bruksel, së bashku me mërgatën tonë. Kosova brenda dhe Kosova jashtë do të flasin me një zë”, ka thënë ajo.
Edhe
“Liria ka Emër”: Në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë
Nga kjo platformë janë zotuar për aktivitete të vazhdueshme qytetare, akademike dhe publike në Kosovë dhe jashtë saj.
“Qeverisë i kërkojmë plan. Institucioneve u kërkojmë koordinim. Partive politike u kërkojmë bashkëpunim. Mërgatës dhe qytetarëve u bëjmë thirrje për pjesëmarrje qytetare. Sot nuk kërkojmë që të gjithë të mendojnë njësoj. Kërkojmë që institucionet të marrin përgjegjësitë e tyre dhe që dallimet politike të mos e pengojnë koordinimin për çështjet që konsiderohen me interes shtetëror”, ka thënë Hoxha.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 e Rexhep Selimin me 13. Nga ajo ditë vazhdimisht ka pasur protesta në Prishtinë dhe diasporë në kundërshtim të vendimit.