Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

1 tetori i protestave: Dikur rezistencë, sot thirrje për liri

protesta

Foto: Driton Paçarada

Në Prishtinë është protestuar kundër verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Sot me thirrjen “Jo në emrin tim”, 1 tetori është zgjedhur si datë e kësaj proteste për shkak të ndërlidhjes me vitin 1997, protestë e cila i gjeti studentët po ashtu në rrugët e Prishtinës, por duke rezistuar në të drejtën për arsim.

Policia thotë se protesta e sotme kaloi pa ndonjë incident, falënderon organizatorët dhe qytetarët

1 muaj më parë / 1 tet 2026 19:12
Policia e Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e sotme kundër verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka përfunduar pa ndonjë incident. 

Policia ka falënderuar organizatorët dhe qytetarët për sjelljen dhe për respektimin e udhëzimeve. 

“Policia e Kosovës, lidhur me protestën e mbajtur sot në orën 16:00, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, ashtu siç kishte paralajmëruar ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës në aspektin e sigurisë, e cila përfundoi rreth orës 17:50 në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident. Policia e Kosovës, falënderon organizatorët dhe mijëra qytetarë pjesëmarrës për qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore të treguar, e në veçanti për respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë gjatë pjesëmarrjes në protestë dhe qarkullimit në trafikun rrugor. Protestimi në mënyrë të qetë, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të protestës paqësore”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 


 

Tensione në fund të protestës

1 muaj më parë / 1 tet 2026 17:49
Tensione në fund të protestës

Photo: Driton Paçarada

Me tensione është përmbyllur protesta “Jo në emrin”. Pas përfundimit të fjalimit të Çlirim Hazirit, disa qytetarë ia mësynë oborrit të Qeverisë, por rrugës u ndaluan nga policia.

Pas kësaj, Haziri mori sërish fjalën duke thënë se protestuesit nuk kanë problem me Policinë, duke njoftuar se ai dhe disa fëmijë të dëshmorëve do të lënë te Qeveria uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dosjet për ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale.

Mavraj: Çlirimtarët tanë në Hagë janë pengje

1 muaj më parë / 1 tet 2026 17:25
Mavraj

Photo: Driton Paçarada

Profesori Muhamet Mavraj, që ishte një nga drejtuesit e protestave studentore të 1 tetorit të vitit 1997, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë nuk është një gjykatë e drejtësisë. 

Mavraj ka thënë se Gjyakta e Hagës i dënoi me hile çlirimtarët. 

“Çdo seancë e ka fituar me rezultat 9:8, pse 9:8, sepse në ballafaqimin e drejtpërdrejt fer mbrojtja ka fituar 8:2 ndaj prokurorisë. E kur humbte prokuroria atëherë topin e merrte gjykata e i hapte portat e i jepte 7 gola për prokurorinë që të fitonte prokuroria. Kjo nuk është drejtësi. Tri apele i ka paraqitur prokuroria dhe të tri janë pranuar. 44 apele i ka bërë mbrojtja e nuk është pranuar asnjë. Nuk është gjykatë e drejtësisë, gjithçka mund të jetë pos e drejtësisë jo”, ka thënë Mavraj. 

Ai ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka gabuar kur tha se ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden e tradhtoi Hashim Thaçin. 

“Nuk është e vërtetë. Faktet flasin diçka tjetër. Më 3 gusht të vitit 2020, ka mbaruar mandati i Gjykatës Speciale. Çlirimtarët tanë në Hagë janë pengje. Çfarë ndodhi sqarimin e amendamenteve kryetarja e atëhershme e Kuvendit nuk e dërgoi në gjykatën tonë kushtetuese, por në Hagë. Ndodhi kjo që është tani...Po ju them këtu se askush nuk po proteston për shkallën e dënimit. Qoftë një minutë fajësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ne është tragjedi. Kërkojmë pafajësi qind për qind”, tha Mavraj. 

Ai ka thënë se simbolika e protestave të 1 tetorit të vitit 1997, duhet të manifestohen edhe në skenën politike sot e të bëhen bashkë, të miratohet ndryshimi i ligjit për Specialen apo kërkesa që shkoi në vitin 2020 në Hagë të shkojë te Kushtetuesja e Kosovës. 

“Sepse kjo gjykatë s’ka mandat, sipas nenit 13 të amandamentit 24”, tha Mavraj. 

Gjatë fjalimit të tij ai ka falënderuar gjithë ata që e kanë mbajtur gjallë arsimin në vitet ’90. 

“Pa arsimin shqiptar e pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës s’do të bëheshim shtet”, tha Mavraj, i cili foli edhe për protestat e 1 tetorit të vitit 1997. 

Djali i Xhavit Hazirit i drejtohet rinisë: Hallall iu qoftë gjaku i babait tim

1 muaj më parë / 1 tet 2026 17:24
Clirim Haziri

Photo: Driton Paçarada

I biri i heroit Xhavit Haziri, Çlirimi, që është një prej organizatorëve të protestave ndaj Speciales, në fjalimin e tij në protestën kundër verdiktit dënues të Speciales ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i është drejtuar rinisë.

Tek ka theksuar se 1 tetori është zgjedhur si ditë për të protestuar për shkak se si datë simbolizon qëndresën kur studentët në të 90-at dolën për të protestuar për universitetin dhe të drejtën për të qenë të lirë në vendin e tyre.

Sot, sipas tij, po protestohet me të njëjtën arsye: “Që të mos heshtim”.

“Sot dua t’i drejtohem veçanërisht rinisë së Kosovës, brezit të pasluftës: ju nuk e keni parë luftën me sy, por jeni rritur me lirinë qe doli prej saj. Ju jeni brezi qe keni fitoren me të freskët... Ndoshta pikërisht për këtë, kjo rini nuk e ndjen përkuljen, frikën dhe heshtjen kur mendon që po i bëhet padrejtësi vendit të vet sepse ju nuk jeni rritur në robëri, por jeni rritur në liri. Si djali i një njeriu që dha jetën për këtë vend ju them: Rini e Kosovës, hallall ju qoftë gjaku i babës tem sepse kur iu shoh të lirë e në këmbë, duke mos harruar se nga erdhi kjo liri, e kuptoj se sakrifica e tyre jeton tek ju”, ka thënë ai.

“Unë nuk e pata fatin për ta pyetur babain tim se çka bane babë kur u shkel dinjiteti i Kosovës, por ma tregoi gjaku i tij. Mungesa e tij por ma tregoi liria në të cilën u rrita. Sot ata janë në Hagë e sot drejtësia duhet të flasë me prova, ligj dhe standarde të drejta. Ndërkohë që ata po mbahen atje, një propagandë e heshtur po zvarritet si krimb në opinionin tonë”, ka shtuar Haziri.

Studentët zotohen se s’do të heshtin: Jo në emrin tonë

1 muaj më parë / 1 tet 2026 17:18 Nga: Blendina Veliqi
Granit Spahiu

Photo: Driton Paçarada

Studenti dhe deputeti i Parlamentit Studentor, Granit Spahiu ka thënë se as studentët nuk do të heshtin ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë me të cilin u shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Spahiu para protestuesve ka thënë se 1 tetori nuk është një datë e thjeshtë për Kosovën.

“Sot është 1 tetori dhe për dikë mund të jetë vetëm një datë në kalendar por për ne studentët e Kosovës është më tepër se kaq. Nuk mund të flasësh për Kosovën e sotme pa kujtuar njerëzit që në ditët më të vështira morën vendime të mëdha. Le ta dëgjojë sot Prishtina, Kosova, Bashkësia Ndërkombëtare dhe Gjykata e Hagës që studentët dhe populli i Kosovës nuk hesht asnjëherë. Nga këtu, gjyqtarëve në Hagë iu themi: Jo në emrin tonë”, ka thënë Spahiu.

Haradinaj: Ndërkombëtarë që na ndihmuat në luftë, na tradhtuat - kthejeni besimin

1 muaj më parë / 1 tet 2026 17:14 Nga: Blendina Veliqi
Nasim Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka në protestën e sotme kundër vendimit të Gykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u është drejtuar deputetëve dhe ndërkombëtarëve me nga një kërkesë. 

Ai ka thënë se deputetët duhet të bashkohen, ndërsa ndërkombëtarëve u ka kërkuar kthimin e besimit, sepse sipas tij, ata e kanë tradhtuar Kosovën në çështjen e gjykimit.

“UÇK pra sepse tjetër nuk ka. Dy gjana i kam. E para 100 deputetet që jeni atje secili me përgjegjësinë e vet ju thërrasim për bashkim. Ndërsa për ndërkombëtarët që iu besuam sepse na ndihmuan në luftën e UÇK-së, bashkë fituam por na keni tradhtuar dhe kthena besimin. Prandaj këtu ju thërras: ne kërkojmë vetëm drejtësi dhe zbulim të krimeve patjetër sepse shumë të tjerë po tentojnë ta keqpërdorin. Kosova ka ngritur institucione, ka njerëz profesionalistë që drejtësinë e çojnë në vend. Ndërkombëtarë, nuk mund të na mashtroni se janë raste individuale. Nga sot e tutje të gjithë UÇK”, ka thënë Haradinaj. 

Vajza e Lec Gradicës kërkon drejtësi për krerët e UÇK-së: Lufta jonë ishte e drejtë

1 muaj më parë / 1 tet 2026 16:49 Nga: Blendina Veliqi
Lavdije Leci

Photo: Driton Paçarada

Vajza e dr. Lec Gradicës, doktoresha, Lavdije Leci, ka kërkuar drejtësi për katërshen e UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke thënë se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, çmimi për të cilën popullit të Kosovës po i kushton ende. 

Gjatë fjalës së saj në protestën gjithëpopullore të së enjtes në sheshin Skënderbeu, ajo ka thënë se liria është e drejtë themelore e çdo njeriu, për të cilën tha se ka rënë edhe babai i saj. 

“Ende po orvatemi t’i dëshmojmë gjithë botës se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë. Liria është e drejta themelore e çdo njeriu në botë. Ndërsa neve shqiptarëve na u desh që të paguajmë aq shumë. Ky çmim duket aq i lartë sa neve po na kushton ende. Edhe babi si shumë liridashës iu përgjigj kushtrimit të atdheut me të vetmin qëllim - lirinë e vendit tonë. Duam drejtësi për familjet tona, duam drejtësi për çlirimtarët”, ka thënë ajo.

Syla për vendimin e Speciales: Hiqeni këtë njollë prej nesh dhe jush

1 muaj më parë / 1 tet 2026 16:42 Nga: Blendina Veliqi
Gazmend Syla

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetari i OVL UÇK-së, Gazmend Syla ka kërkuar që në shkallën e Apelit të lirohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Syla nga protesta që po mbahet në Prishtinë ka thënë se kjo është një njollë për ne por edhe për ndërkombëtarët. Nënkryetari i OVL UÇK-së ka thënë gjithashtu se si ka mundësi që dëshmitë e Serbisë të jenë më të rëndësishme se ato të ndërkombëtarëve, duke iu referuar dëshmisë së James Rubin e Wesley Clark.

“Ne jemi edhe anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale nga 16 shtatori. Një Gjykatë që nuk e di çka ka ndodhur këtu në vitin 98-99, turpi i mbuloftë kudo që janë ata. Nga ky shesh ju themi (ndërkombëtarëve) hiqeni këtë njollë prej jush edhe prej nesh. Hiqeni përmes Apelit. Si mund të jenë me të rëndësishme dëshmitë prej Serbisë se dëshmitë e zyrtarëve ndërkombëtarë”, ka thënë Syla.

Tasholli: Liria nuk ka parti politike

1 muaj më parë / 1 tet 2026 16:30
Ismail Tasholli

Photo: Driton Paçarada

Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës “Liria ka emër”, ka thënë se protesta e organizuar në Prishtinë tejkalon partitë politike.

“Jemi mbledhur sot me sebep të madh. Jemi mbledhur për ju. Jemi mbledhur për UÇK-në.  Jemi bë bashkë për të çuar mesazh të rëndësishëm. S’u bëmë bashkë për shkak të partive, jo për shkak të mitingjeve të caktuara, por për ju sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, ka thënë Tasholli në nisje të protestës.

“Secili brez dha djersën. Themeli është i shumë gjeneratave. UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se qysh sot po na servohet si drejtësi kemi arsye të madhe që të themi se duam drejtësi të barabartë, të drejtë e ato vlera që BE-ja na ka mësuar gjatë gjithë kohës”, ka thënë Tasholli.

Ai ka komentuar edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne i themi që besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në dystandardësi kur flitet për drejtësi. I themi: Jo në emrin tonë”, ka shtuar ai.

Nis protesta kundër verdiktit të Speciales

1 muaj më parë / 1 tet 2026 16:18
Protesta ndaj Speciales

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë protesta kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së. 

Protesta është thirrur nga platforma “Liria ka Emër”, derisa është paralajmëruar për pjesëmarrje masive. 

“Jo në emrin tim” – protesta në foto

1 muaj më parë / 1 tet 2026 16:14
Protesta

Photo: Driton Paçarada

Në Prishtinë po protestohet kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pamjet nga protesta, nëpërmjet fotografive të Driton Paçaradës.

Haziri: Presim të na bashkohen në protestë të gjithë liderët pa dallim

1 muaj më parë / 1 tet 2026 13:59
Çlirim Haziri

Njëri nga organizatorët e protestave që janë mbajtur në Prishtinë që nga aktvendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Çlirim Haziri, ka thënë se protesta e sotme pritet të jetë një nga më të mëdhatë në Kosovë.

Ai në emisionin “tre8tre” në KTV, ka deklaruar po ashtu se pret që të bashkohen në këtë protestë të gjithë liderët politikë e partiakë dhe përfaqësues të institucioneve, pa dallim.

“Pres që sot të bashkohen të gjithë liderët politikë e partiakë, pa dallime. I pres të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të na bashkohen në protestë. Kjo revoltë sot në rrugët e Prishtinës është për pjesën më të lavdishme të historisë së Kosovës, mbi bazën e së cilës u ndërtuan edhe këto institucione. Besoj se do të jetë një numër i madh i protestuesve që do të na bashkohen sot në orën 16:00. Mendoj se do të jetë një nga protestat më të mëdha në Kosovë”, ka thënë Haziri.

Në mesin e thirrjeve së fundmi gjatë protestave në Prishtinë është edhe që të procedohen në Kuvend ndryshimet për Ligjin e Gjykatës Speciale.

Për këtë, Haziri ka thënë se kanë frikë se i njëjti do të lihet mënjanë.

“Nuk do të ndalemi derisa të na dëgjojnë. Sot është dita e 8-të që projektligji për Dhomat e Specializuara vazhdon të qëndroj në korridoret e Qeverisë dhe nuk trajtohet seriozisht. Ne çdo natë e themi të njëjtën kërkesë edhe thërrasim për drejtësi, thërrasim për ndryshim të atij ligji. Nuk frikësohemi nga drejtësia por Dhomat e Specializuara pas atij vendimi të diktuar, konsiderojmë se duhet të kenë mbikëqyrje dhe nuk mund t’i kenë duart e lira e të veprojnë sipas agjendave politike e ku ta di unë”, ka thënë Haziri.

Haziri është shprehur se vendi nuk do të duhej të shkojë në zgjedhje pa u votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specalizuara të Kosovës në Hagë.

“Kemi filluar të frikësohemi se ky ligj do të vazhdojë të mbetet në korridoret e Qeverisë dhe këta liderë politikë që i kemi në Kosovë do ta bëjnë atë që dijnë ta bëjnë më së miri, të na çojnë në zgjedhje para se të votohet ky Ligj dhe UÇK-në e krerët që po mbahen padrejtësisht në Hagë, edhe një herë Kosova t’i lë vet. Për ne do të jetë e papranueshme”, është shprehur Haziri në KTV.

Protestë gjithëpopullore është ftuar për sot në orën 16:00 në Prishtinë për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tash e 15 ditë me radhë po vazhdojnë protestat kundër vendimit të Speciales dhe në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së. 

Policia njofton për mbylljen e dy rrugëve në Prishtinë

1 muaj më parë / 1 tet 2026 12:14
protesta  - 18 shtator, 2026

Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orën 15:00 do të mbyllen përkohësisht rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymeri” në Prishtinë.

Sot nga ora 16:00 mbahet protesta gjithpopullore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke e kundërshtuar vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Tutje në njoftimin e policisë thuhet se për shkak të zhvillimeve të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, do të kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit edhe në rrugët e prekura nga protesta.

“Sipas planifikimeve policore, prej orës 15:00 rrugët të cilat do të mbyllen përkohësisht për qarkullim në kryeqytet janë: Luan Haradinaj dhe Enver Zymeri, por varësisht nevojës operative mund të ketë edhe rrugë të tjera në të cilat mund të ndërpritet qarkullimi përkohësisht. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin kushtetues dhe sigurinë publike në vend dhe se siguria e qytetarëve, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike në vend mbesin prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Transporti publik falas në Prishtinë gjatë marshit kundër vendimit të Speciales

1 muaj më parë / 1 tet 2026 09:31
Autobuset

Photo: Driton Paçarada

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga ora 14:00 deri në 20:00 transporti publik do të jetë falas.

Sipas njoftimit, kjo po bëhet në mbështetje të marshit kundër vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kjo masë synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe pjesëmarrjen në marsh”, thuhet në njoftim.