Bashkimi ka regjistruar fitore të thellë ndaj Rahovecit 029.
Nënkampioni i Kosovës e ka mposhtur skuadrën rahovecase me 43 pikë dallim, të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. 108:65 ishte rezultati i ndeshjes së fundit e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Bashkimi tani ka 16 pikë sa edhe Trepça dhe Bora.
Rahoveci 029 mbetet në fund të tabelës me 11 pikë, sa kanë edhe Peja dhe Vëllaznimi.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 54:42 për Bashkimin.
Fitorja thuajse u sigurua në çerekun e tretë që përfundoi 24:9. Në periudhën vendimtare, Bashkimi hyri me epërsi prej 27 pikëve, 78:51, dhe nuk lejoi befasi.
Divine Myles i kishte statistikat më të mira te prizrenasit. Myles i shënoi 16 pikë, ndërsa pati edhe gjashtë asistime e dy kërcime.
Shanon Shorter i shënoi 18 pikë. Nga 15 pikë i realizuan Adrio Bailey dhe Gian Clavell.
Te Rahoveci 029 me 18 pikë, gjashtë kërcime e një asistim u dallua Edmond Kryeziu.
“Vreshtarët” po përballen me telashe financiare dhe në përbërje e kishin vetëm një basketbollist të huaj. Jabari Craig realizoi 10 pikëve e 10 kërcime.