Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Momentet e Dalipit në “Fadil Vokrri”

Lutfi Dalipi

Lufti Dalipi ishte ndër të parët që u shfaq të shtunën në zonën VIP të stadiumit “Fadil Vokrri”. Nga lart po shikonte lojtarët e Kosovës duke u ngrohur para ndeshjes kundër Izraelit. 

Në mars, Dalipi do të zbresë në fushë për ndeshjet kualifikuese të Kosovës për Evropianin 2028. Ai mezi pret ta ndihmojë Kosovën drejt arritjes së qëllimit të madh – kualifikimit në “Euro 2028”. 

“Uroj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Dalipi, i cili nuk e fshehu kënaqësinë që në të ardhmen do të luajë për Kosovën.

Por para se ta ndihmojë Kosovën, lojtarit ofensiv i mbetet të vazhdojë me paraqitje të mira te Vaduzi.

“Më kanë pritur të gjithë mirë. U jam falënderues të gjithëve. Jam i lumtur”, është shprehur Dalipi.

Të lumtur që po e shihnin 20-vjeçarin në tribunë ishin edhe shikuesit. Për tifozët ai ka një premtim. 

“Shihemi në mars”. Dalipi është me prejardhje nga Lugina e Preshevës. Është i lindur në Zvicër.

Nënën e ka nga Portugalia. Ai zgjodhi Kosovën, ndonëse opsion e kishte edhe Shqipërinë.

Para se t’i thoshte “po” Kosovës, Dalipi luajti për Zvicrën U21. Ka paraqitje edhe me U20 dhe U18 të helvetikëve.

Dalipi pas disa ditësh qëndrimi në Kosovë, kthehet në Lihtenshtajn për të vazhduar punën te Vaduzi, ekip që garon në Superligën e Zvicrës. 

20-vjeçari ka nëntë asistime e pesë gola në elitën helvetike.

Dalipi u largua nga stadiumi “Fadil Vokrri” me përshtypje të mira, me gjithë barazimin e zbehtë me Izraelin. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Dalipi në mars do të jetë opsion shtesë për përzgjedhësin Franco Foda.