Protesta në Tiranë, përplasjet Rama- LVV | Live në KONFRONT
Smakiqi: Futja e FSK-së në veri, për të ndihmuar Pecin në garën për Mitrovicën
Juristi Xhevdet Smakiqi ka thënë se hyrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të shtetit të enjten ka pasur tendencë për të ndihmuar Faton Pecin e Lëvizjes Vetëvendosjes në balotazh për kryetar ë Mitrovicës.
Gjatë ditës, një konvoj i FSK-së hyri në veri. E nga FSK-ja u tha se hyrja ka ndodhur gabimisht. Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Por sipas Smakiqit, FSK-ja është instrumentalizuar nga Qeveria.
“Gabime dhe moskujdes nuk mund të ketë në ushtri. Ne kemi një marrëveshje dhe zotim që Kosova nuk e lëviz forcën pa dakordim me KFOR-in dhe NATO-n. E shoh si pjesë të instrumentalizimit siç e ka bërë me Policinë, sepse kemi pasur reagime të Ambasadës amerikane kur e kanë quajtur se po e instrumentalizoni policinë për tensione në veri... Shtete të QUINT-it kanë reaguar vazhdimisht se po ngrit tensione. Dhe këtë e shoh si tendencë që t’i blejë votat për balotazh për Faton Pecin, se kinse jemi aq të fortë sa që e çojmë FSK-në në veri pa e pyetur askënd sepse ky thirret në sovranitet”, ka thënë Smakiqi në “Konfront” të KTV-së.
Peci do të jetë pjesë e balotazhit për kryetar të Mitrovicës me Arian Tahirin e PDK-së.
Hyrjen e gabuar të FSK-së në veri e kanë kritikuar edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, e juristi Skënder Musa.
Berisha ka thënë se veprimi ka nxjerrë dy të këqija, atë që u paraqit sikur veriu s’është pjesë e Kosovës dhe paaftësia e ushtarëve për t’i ndjekur koordinatat “duke e devalvuar deri në zero Ushtrinë e Kosovës”.
Ndërkaq juristi Musa ka thënë se do të ishte shumë keq për Kosovën nëse FSK-ja do të përdorej për qëllime politike.
“Lajmi u bë menjëherë sikur me e pushtuar veriun. Në momentin që këto struktura ilegale të partive politike po këqyrin me marrë poentime politike e qesin në media të afërta me to”, ka thënë ai duke shtuar se FSK-ja ka shfaqur dobësi nëse ka treguar se nuk e njeh territorin e vogël të shtetit.
Musa: Kurti pa nivel politik e intelektual, Rama është larg prej tij
Juristi Skender Musa ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po bën politikë të dobët kur përpiqet të kritikojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas përplasjeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje me Ramën në prag të protestës në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas Musës, Kurti nuk e ka kapacitetin intelektual dhe politik të Edi Ramës.
“Është një politikë e dobët që të kritikojmë një lider të fortë të shqiptarëve dhe të paraqitem sikur më i avancuar dhe tash u pa që edhe në aspektin intelektual - se ne që e kemi njohur edhe para luftës e kemi ditur që s’ka kurrfarë kapaciteti intelektual dhe politik - për t’u paraqitur tash në nivel të Edi Ramës apo atyre të Shqipërisë. Nivelin intelektual, lidhjet me Evropë, lidhjet me botë, njëqind herë më të forta i ka Edi Rama”, ka thënë Musa në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Musa ka thënë se Kurti i ka gjetur të gatshme raportet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe me NATO-n. E sipas tij, sot nuk ekziston ky perceptim për raportet.
Ai ka kritikuar përfaqësimin diplomatik të Kosovës viteve të fundit. Ka thënë se pos vizitave “të parëndësishme dhe më tepër për të bërë reklamë” të presidentes Vjosa Osmani, “në aspektin diplomatik nëpër vendet e BE-së dhe të SHBA-së, Kosova është shumë keq e përfaqësuar”.
Musa: Komunikatë e turpshme, VV-ja po vepron pa pikë etike
Avokati Skender Musa e ka vlerësuar të turpshme komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje ku akuzohet kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, se ka qenë njëri nga lobuesit kryesorë për themelimin e Gjykatës Speciale, në prag të protestës që do të mbahet në Tiranë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka thënë se Vetëvendosja po vepron pa asnjë etikë.
“Po më pëlqen shumë që e ka bërë këtë deklaratë, për shkak se asnjë qytetar, jurist jo se jo, asnjë jurist nuk mashtrohet ta shohë këtë shkrim seriozisht shumë të turpshëm. Po më duket sikur ato letrat e Isa Toptanit, këta po veprojnë jashtëzakonisht pa asnjë etikë”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.
Ai tutje ka thënë se nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk e ka ngritur si çështje zhbërjen e kësaj gjykate në organizatat ndërkombëtare.
“E ka ngritur Shqipëria në Këshill të Evropës, e ka ngritur Edi Rama, e ka nxjerrë rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë mirëpo në pyetje të drejtpërdrejt deputetëve të Kuvendit të Kosovës, edhe të Vetëvendosjes e edhe të partive të tjera, cila rezolutë është aprovuar me propozim të këtyre njerëzve që kanë qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale në Hagë, që të kërkohet drejtësi, jo anulim sepse nuk anulohet gjykata, nuk zhbëhet ajo. Është procesi në përfundim e sipër. Janë akuza serioze që në ato akuza nuk përlyhet vetëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës por edhe ne që jemi në studio, të gjithë qytetarët, kombi shqiptar, shtetësia e Kosovës. Atje po gjykohet njeriu që e ka shpallur pavarësinë, njeriu që ka udhëhequr negociatat në Rambuje, njeriu që ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm që vetë zyrtarët amerikanë po thonë se ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës dhe i UÇK-së në atë periudhë kohore”, ka thënë ai.
Berisha: Komunikata e VV-së, gjuhë e tradhtisë, e propagandës dhe e mashtrimit
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hisen Berisha, ka komentuar postimin e Lëvizjes Vetëvendosje për protestën që do të organizohet të premten në Tiranë në përkrahje të UÇK-së.
Berisha ka thënë se komunikata e VV-së është gjuhë e tradhtisë dhe propagandës.
“Kjo është mesazhi që e për[ojnë këta. Kur e sheh këtë, ngarkohet njeri me emocione të propagandës dhe thotë se ata janë kriminelë lërini në burg se vetë e paskan bë. Kjo është gjuha e tradhtisë, propagandës dhe mashtrimit. Po të mos bëheshin ato Dhoma, ne do të dorëzoheshim para aktakuzave të Dick Martyt. Dhomat nuk u bën të gjykohet UÇK-ja. U bën të mbrohemi nga akuzat e Dick Martyt dhe të Këshillit të Evropës, sepse e ka miratuar të njëjtin raport”, tha Berisha në “Konfront” të KTV-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur përkrahje për protestuesit të cilët do të mblidhen të premten në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Në një reagim në Facebook kjo parti ka theksuar se është shprehur kundër themelimit të kësaj gjykate që nga fillimi dhe ka kërkuar që të shprehin pendesë, siç ka thënë, ata që lobuan pro formimit të Speciales.
Shembull i kësaj sipas LVV-së është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate”, thuhet në postimin e tyre në Facebook.
E ka reaguar më pas edhe Rama.
Rama ka thënë se LVV-ja po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë “në çorbën e balotazheve komunale”. Ai i ka kujtuar se Specialja qe ngritur për trafikimin me organe, dhe jo “për të marrë peng presidentin” e Kosovës.
Berisha: E turpshme të mendohet se Thaçi e pranoi Specialen për t'i dërguar shokët e tij
Hisen Berisha, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se është e turpshme të mendohet se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, e ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale me pretendimin se ai nuk do të dërgohej për gjykim atje.
Në “Konfront” të KTV-së, Berisha ka thënë se Gjykata Speciale është themeluar për t’u mbrojtur nga raporti i Dick Martyt dhe jo për ta gjykuar luftën e UÇK-së.
“Këto dhoma u krijuan për t’u mbrojtur nga akuzat e raportit të Dick Martyt i cili është i miratuar nga Këshilli i Evropës drejtuar Kosovës... Aty janë të involvuar prokurorë rusë, serbë e deputetë... Por ato u krijuan për t’u mbrojtur nga akuzat e raportit dhe jo për ta gjykuar UÇK-në dhe luftëtarët e saj. Kush janë sot në Hagë? Është Hashim Thaçi drejtori politik, truri politik, në dashi quajeni komandant, në dashi pa rol, ose pa pozitë, por është truri politik i asaj që u quajt organizim vullnetar për të luftuar kundër regjimit të Millosheviqit dhe presionit të tij gjenocidial. Është në Hagë duke u mbrojtur edhe shefi i inteligjencës (Kadri Veseli), neuroni, i funksionimit të komplet trupit të UÇK-së. Është duke u gjykuar zëdhënësi i UÇK-së (Jakup Krasniqi) dhe një anëtar shtabi që nuk e di saktë çka ka mbuluar. Për Rexhepin (Selimin) nuk e di çka mundem të them”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se kushdo që kritikon Thaçin dhe të tjerët për themelimin e Gjykatës Speciale “ka qëllime të errëta”.
“Në mes të bërit nga OKB-ja dhe nga ne, dallimi është se kompetencën ligjore për përfundimin e punës së kësaj gjykate e ka Këshilli i Evropës bazuar mbi ligjin në të cilin funksionon. Sikur të mos bëhej kjo e të bëhej nga OKB-ja, atëherë kompetencën për shuarjen do ta kishte vetë Këshilli i Sigurisë. Kur të vijë në situatë për ta mbyllur këtë trupë juridike atëherë vendimi do të duhej të merrej në KS të OKB-së dhe aty janë edhe Kina e Rusia dhe e dini se çka do të ndodhte. Do të shihnim luftëtarët e UÇK-së në gjykata duke vdekur ndoshta aty sepse tërë jetën do të na mbante peng Rusia e Kina”, ka vazhduar Berisha.
Berisha ka shtuar se është turp të mendohet se Thaçi “ka qenë aq injorant sa që nuk e ka ditur se do të shkonte edhe vetë në Hagë, sikur shokët e tij”.
Smakiqi: Besimi i publikut ndaj Speciales është zero, prokurori Smith i diskredituar
Juristi Xhevdet Smakiqi ka thënë se protestat e shqiptarëve ndaj Gjykatës Speciale në Hagë tregojnë se besimi i qytetarëve në këtë institucion përgjatë gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rënë në zero.
Në prag të protestës së paralajmëruar në Tiranë kundër Speciales, Smakiqi ka thënë se kjo gjykatë ka humbur besimin te qytetarët për shkak të mënyrës se si po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka thënë se edhe ish-kryeprokurori Jack Smith është diskredituar pas akuzave nga administrata Trump.
“Ndër premisat apo parimet themelore në një drejtësi objektive të pavarur është edhe besimi i publikut. Pra kur flitet për një sistem të drejtësisë në një shtet demokratik përmendet se besimi në një gjykatë duhet të jetë në nivelin më të lartë. Në rastin tonë konkret, pra kur ka qenë opinioni publik kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ishin krerët e UCK-së, vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli që lobuan që të themelohet me qëllim që Kosovës t’i hiqen retë e zeza nga raporti i Dick Martyt. Gjithmonë opinioni është në konfront me vendimet politike kur themelohet diçka e tillë. E tash këto protesta të veteranëve edhe në Hagë, Tiranë e Prishtinë dy herë dëshmojnë se besimi i publikut të Kosovës në Dhomat e Specializuara është zero ose i zbehur dhe është njëfarë mesazhi që për shkak të procedurës së stërzgjatur dhe shkeljes së parimit të publicitetit pasi mbi 60 për qind të gjykimit ka qenë i mbyllur dhe publiku nuk e ka parë....ndërkohë që prokurori Smith është i diskredituar për shkak të akuzave në SHBA dhe dyshimeve për korrupsion”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.