Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka kritikuar qasjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj Kosovës, duke thënë se ai ka pasur përplasje me pothuajse të gjitha figurat politike në Prishtinë dhe se shpesh sillet “si kryeministër i një superfuqie”.
“Nëse e shohim historikisht, Rama ka pasur problem me të gjitha figurat politike në Kosovë. Kurti nuk është i pari. Prej kësaj perspektive, mendoj që Rama vetëm se e ka pritur momentin për të qenë pjesë e këtyre fërkimeve. Ka vetëbesim të tepruar. Sillet ndonjëherë si me qenë kryeministri i një superfuqie”, u shpreh Muja në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas tij, qasja e Ramës ndaj Kosovës shpesh ka qenë jomiqësore dhe e dëmshme për raportet mes dy shteteve shqiptare.
“Rama ka qenë i pari që i ka vendos sanksione Kosovës, ka sjellë një draftstatut të Asociacionit pa e pyetur fare Prishtinën dhe ka koketuar me Vuçiqin për projektin e tij politik – Ballkanin e Hapur, pa asnjë konsultim me Kosovën”, ka thënë ai.
Profesori Muja theksoi se për vite me radhë Rama ka pasur më shumë takime e bashkëpunime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq sesa me krerët institucionalë të Kosovës.
“Nuk e di çka ka bërë ai për Kosovën këto vitet e fundit. Qëndrimet e tij politike janë shumë më të afërta me Vuçiqin sesa me kryeministrin e Kosovës. Ai ka pasur probleme të vazhdueshme edhe me Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Ramush Haradinajn. Është pjesë e metodave të tij”, theksoi Muja.
Ai shtoi se një qasje e tillë është e dëmshme në një kohë kur, sipas tij, “Kosova ka nevojë për më shumë miq, jo për përçarje politike”.
Së fundmi, protesta që u mbajt sot në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së nxiti tjetër përplasje mes Ramës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Partia që udhëhiqet nga Kurti e kritikoi Ramën dy ditë para se të mbahej tubimi, duke thënë se ishte njëri prej të cilëve loboi që të formohej Gjykata Speciale. Rama u kundërpërgjigj duke i cilësuar akuzat si politike dhe të nxitura nga gara për balotazh në Kosovë. Edhe pse fillimisht e pati konfirmuar pjesëmarrjen, Rama u tërhoq duke theksuar se nuk do të që të politizohet protesta.