Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mungesa e vendkalimeve në Veternik rrezik për këmbësorët

Për shkak të mungesës së mbikalimeve ose nënkalimeve në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, shumë qytetarë, nën kërcënimin e veturave që lëvizin me shpejtësi të madhe, detyrohen të kalojnë këmbë nëpër gjashtë shirita. Për të shmangur aksidentet në zonën ku shtrihen shumë biznese e objekte banimi, ekspertët e komunikacionit thonë se duhet krijuar kushte për lëvizje të papenguar të këmbësorëve

Dy shirita me nga tri korsi u detyrua t’i përshkojë Besjon Seferaj në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, në zonën e Veternikut ku shtrihet njëra nga qendrat më të frekuentuara tregtare, por edhe të tjera biznese e objektet banimi. Seferaj sikur edhe të tjerë qytetarë kanë treguar se si rruga ku makinat lëvizin me shpejtësi të madhe përbënë rrezik të madh për jetët e tyre. Për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën, ata kërkojnë vendosjen e mbikalimit apo nënkalimit.

“Duhet me u vendosë gjithqysh, sidomos këto edhe për kolegje edhe për banor civil që dalin prej andej për tek Albi Mall, pasi është qendër tregtare shumë e vizituar, mendoj që duhet patjetër me u bo. Rreziku është i madh për shkak se makinat ecin shumë shpejt, ka shumë qarkullim, mendoj që gjithqysh duhet të bëhet” ka thënë ai.

Edhe qytetarë të tjerë kanë shpreh drojën, sidomos për fëmijët dhe personat e shtyrë në moshë.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishme ndonjë nënkalim apo mbikalim pasi kjo pjesë është shumë ë rrezikshme dhe vozisin goxha shpejt. Kam pasur përvoja, jo që kam kaluar nga ajo pjesë këndej, mirëpo d.t.th është shumë e rrezikshme, shumë më e rrezikshme bëhet kur kalon dikush në moshë me të shtyrë”, është shprehur një tjetër qytetar.

Sipas ekspertit të trafikut rrugor, Bekim Ahmeti e vetmja zgjidhje për të mos vënë në rrezik këmbësorët që kalojnë këtë magjistrale është vendosja e mbikalimeve.

“Problemet kryesore janë kyçjet ilegale, ne i quajmë kyçje ilegale. Nuk e di a janë këto kyçje legale prej anës së Ministrisë apo jo. Mirëpo ish dashtë me qenë më të organizuara, që të kenë vetëm në udhëkryqet kyçje, kurse kyçjet sekondare të jenë prapa bizneseve, prapa lagjeve të cilat kanë rrugë shtesë, ku rruga e kategorisë së tretë të lidhet me kategorinë e rrugës së dytë dhe rruga e kategorisë së dytë të lidhet me kategorinë e rrugës së parë”, ka deklaruar Ahmeti. “Probleme të tjera janë edhe mbikalimi dhe nënkalimi që mungon çdokund në rrugë nacionale në Kosovë dhe ish dashtë të kemi një mbikalim apo nënkalim, sidomos ku kemi këso zona të biznesit ose zona banimi”.

Për të qenë më efikas këto mbikalime, Ahmeti ka thënë se duhet që të jenë me ashensorë për shkak që edhe personat me aftësi të kufizuara, personat në moshë ose prindërit me fëmijë t’a kenë më të lehtë qasjen. Sipas Ahmetit, këto mbikalime duhet të vendosen çdo 100 metra, e me raste edhe çdo 50 metra.

Koha ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës nëse është planifikuar ndërtimi i mbikalimeve në këtë pjesë, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Artikuj të ngjashëm