Vendkalimet ilegale në kryqëzimet midis rrugëve e hekurudhave janë vlerësuar si me rrezik të madh për kalimtarët dhe ngasësit që i përdorin ato, nga ekspertët e komunikacionit. Me rrezik i kanë parë edhe ato legale, për të cilat thanë se kanë mungesë të sinjalizimeve adekuate. E qytetarët që i përdorin ato kanë shprehur brengë për sigurinë
Me nivel të ulët sigurie i kanë kualifikuar inxhinierët e komunikacionit kryqëzimet midis rrugëve dhe hekurudhave në nivel vendi, në njërin prej të cilëve në Klinë një javë më parë humbën jetët dy persona.
Si shqetësim të veçantë ata i kanë numëruar vendkalimet ilegale në këto kryqëzime, si dhe mungesën e sinjalizimeve adekuate.
Nol Dedaj, profesor i komunikacionit, e shton nevojën e auditimit në hekurudha dhe kushteve të sigurisë që ato i kanë.
“Janë mizërie sa i përket sinjalizimit edhe ato vende që kanë qenë të rregulluara me sinjalizim, më nuk janë... Ato janë ilegale sepse nuk i plotësojnë kriteret teknike për të qenë legale. Niveli i rrezikshmërisë është shumë i lartë. Ka sa të duash, nga do që endesh”, ka thënë Dedaj.
Në “Infrakos”, ndërmarrje kjo që menaxhon hekurudhat, konfirmuan se ekzistojnë vendkalime ilegale mbi hekurudha, veçmas në segmentin Prishtinë-Fushë-Kosovë.
“Në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë–Pejë janë gjithsej 77 vendkalime legale dhe tri (3) vendkalime ilegale. Prej tyre, në dy vendkalime kanë qasje vetëm nga një biznes, të cilat vendkalime rrënohen vazhdimisht, mirëpo përsëri ndërtohen nga të njëjtët... Në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë–Prishtinë ekzistojnë gjashtë (6) vendkalime legale dhe katër (4) ilegale”, thuhet në përgjigjen e “Infrakosit”.
Krahas atyre ilegale, siguria është vlerësuar e ulët edhe te vendkalimet legale.
Eksperti i komunikacionit, Kolë Paloka, në një shkrim për KOHËN, ka treguar mënyrën e rregullimit në kryqëzime. Në rastet kur mungojnë laurat, ai ka shkruar se duhen vendosur së paku tetë shenja paralajmëruese për binarë, të paktën 240 metra nga largësia e tyre.
Për mungesën e laurave dhe të sinjalizimeve të tjera, brengë kanë shprehur edhe disa qytetarë.
“Laurat të vendosen mendoj që është më se e domosdoshme, për arsye që ka pasur edhe raste me fatalitet... Nuk ka mjaftueshëm laura te kalimet e trenit, siç do duhej të ishte, apo siç janë edhe në vendet perëndimore”, ka thënë Berat Guri.
E qytetari tjetër, Faton Seferi e ka vlerësuar të mangët infrastrukturën në nivel vendi.
“Natyrisht që rrugët tona janë shumë mbrapa. Sinjalizime është mirë të ketë, por çfarë do të ishte perfekt të mos ketë askund veturat dhe trenat mundësi që të takohen. Ajo është më e mira, por diku nuk ekziston ajo mundësi, duhet të ketë sinjalizim”.
Për mungesën e sinjalizimeve, KOHA i adresoi pyetje Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk mori përgjigje. Në pyetjet drejtuar komunave nëpër të cilat kalon linja e trenit Prishtinë-Pejë, nga ajo e Drenasit thanë se çdo vit hapin tender për sinjalizime, e në atë të Pejës përgjegjësinë ia bartën “Infrakosit”.
Bazuar në Ligjin për Hekurudha, përgjegjësinë për sigurimin e vendkalimeve në kryqëzimet rrugë-hekurudha, si dhe për vendosjen e shenjëzimeve e mban institucioni përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës. Ligji specifikon që në kryqëzimet me binarë të ketë mbi apo nënkalime, përveç nëse ndërtimi i tyre nuk do të ishte ekonomik apo nëse e pengon sigurinë e trafikut hekurudhor.