Arbëri

Mungesa e mjekëve çon drejt mbylljes disa reparte në spitale rajonale

Pacientët në repartin e Pulmologjisë në Spitalin e Gjilanit janë ankuar se gjatë vikendeve nuk ka mjekë kujdestarë. Shqetësimin e pacientëve e ka konfirmuar edhe menaxhmenti i spitalit, duke thënë se ky repart mbulohet nga internistët. Si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, disa reparte rrezikojnë të mbyllen edhe në Spitalin e Gjakovës. Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se me buxhetin për vitin 2023 parashohin të rritin numrin e mjekëve në të gjitha nivelet

E qetë dhe me pak lëvizje ka qenë mesdita e së shtunës në oborrin e Spitalit të Gjilanit. Por brenda Klinikës së Pulmologjisë, pothuajse të gjithë shtretërit kanë qenë me pacientë të hospitalizuar. Megjithëkëtë, dhomat e mjekëve kanë qenë të mbyllura derisa aty janë të shtrirë 12 pacientë.

Një familjare e njërës prej pacienteve të hospitalizuara ka treguar se gjatë vikendit nuk ka mjek kujdestar.

“E kam familjaren këtu të shtrirë në spital qe katër ditë. Gjatë javës kontrollet janë të mira, mirëpo gjatë vikendit jo. Gjatë vikendit janë vetëm motrat, kohë pas kohe i përcjellin pacientët në rast të ndonjë urgjence a diçka. Se mjekë jo, nuk ka. Nuk vinë as në vizitë të mëngjesit, as në mbrëmje, as të shtunën e të dielën nuk punon asnjë mjek. Motrat na thonë që në rast se ka ndonjë rast urgjent apo diçka mund t’i lajmërojmë”, ka thënë ajo në kushte anonimiteti.

Edhe pacientët e tjerë kanë treguar për situatën e njëjtë.

“Sot jo, as nesër. Të shtunën dhe të dielën nuk ka vizita, deri të hënën”, ka thënë një paciente që ishte e shtrirë në një nga dhomat e repartit.

Se nuk ka kujdestari për çdo ditë e ka konfirmuar edhe drejtori i Spitalit, Arsim Emini.

Ka thënë se janë vetëm katër pulmologë dhe se repartin e Pulmologjisë, në mungesë të mjekëve pulmologë, e mbulojnë edhe internistët.

“Nuk e mbulojmë për çdo ditë Pulmologjinë. 15 ditë e mbulon Pulmologjia, 15 ditë e mbulon me mjek në thirrje. Se aty janë 4 mjekë pulmologë, domethënë 15 ditë mbulohet me kujdestari, 15 ditë mbulohet me thirrje. Vjen mjeku prej shtëpisë kur rasti është urgjent. Ka një rast urgjent, aty është internisti, aty është gjithmonë internisti, nëse ka nevojë për konsultë për pulmologun, e thërret pulmologun prej shtëpisë. Në vikend ka mundësi ndodh ndonjë ditë që të shtunën nuk ka. Ndodh ndonjëherë, por të dielën ka. Domethënë pulmolog një ditë ka, një ditë nuk ka. Nuk ka mundësi për t’u mbajtur për çdo ditë”, ka thënë Emini.

Edhe Pulmologjia në Spitalin e Gjakovës mbulohet nga mjekët e Internos, pasi, sipas drejtoreshës së Spitalit të Gjakovës, Violeta Binishi, ky repart së bashku me atë të Oftamologjisë rrezikojnë të mbyllen në mungesë të stafit të mjaftueshëm mjekësor.

“Në repartin e Pulmologjisë kanë treguar kolegjialitet kolegët e repartit të Internos, ata e mbulojnë edhe repartin e Pulmologjisë, pasi e vetmja doktoreshë që është aty nuk mundet për të kujdestaruar vazhdimisht dhe ka bashkëpunim mes kolegëve të tjerë”, ka thënë ajo.

Binishi e Emini kanë treguar se në disa reparte ka mangësi të mëdha dhe një ndër problemet është edhe mosha mesatare e shtyrë e mjekëve aktualë.

E në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se me rritjen e buxheti për shëndetësi për vitin 2023, planifikojnë të realizojnë specializimin dhe punësimin e mjekëve të rinj.

“Është buxhetuar punësimi i profesionistëve të rinj. Ky plan do të ecë bashkë me ndryshimin rrënjësor të programit të specializimeve dhe krahas vlerësimit të nevojave për burime njerëzore dhe shpërndarjen e tyre në nivelin dytësor e tretësor. Kemi rritur buxhetin për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor, duke shtuar edhe 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë. Në kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor do të ketë edhe 100 pozita të reja shtesë për profesionistë shëndetësorë, të cilat duhet të shfrytëzohen për sektorët deficitarë dhe për t’i plotësuar ato shërbime mjekësore që janë në mungesë për shkak të burimeve njerëzore”, kanë thënë të shtunën përmes një postimi në Ministrinë e Shëndetësisë.

KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesë të mjekëve dhe infermierëve në të gjitha nivelet e shëndetësisë. Në gusht të këtij viti, KOHA pati raportuar se edhe në Spitalin e Ferizajt si pasojë e mungesës së stafit mjekësor, pa kujdestari kanë mbetur reparti i Neonatologjisë dhe ai i Radiologjisë.

Të premten, Qeveria e Kosovës ka ndarë 296 milionë euro për shëndetësinë për vitin 2023, e gjatë vitit 2022 këtij sektori i ishin dedikuar 198 milionë euro.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e vitit 2023 është planifikuar edhe mbështetja për mjekët që institucionet shëndetësore do të propozojnë për të sjellë nga mërgata, shqiptarë të rajonit dhe të huaj.