Arbëri

Mungesa e pulmologëve rrezikon shërbimet në Spitalin e Mushkërive në Pejë

Qendra për trajtimin e tuberkulozit dhe të sëmundjeve të mushkërive në Pejë, e cila prej më se 70 vjetësh ka qenë në shërbim të pacientëve nga e gjithë Kosova, është duke u përballur me mungesë të pulmologëve, në atë që ka krijuar krizë për trajtimin e pacientëve. Drejtues të spitalit e kanë pranuar mungesën e mjekëve, por kanë thënë se shërbimi për pacientët nuk është ndërprerë

Institucioni mjekësor në Pejë për shërimin e tuberkulozit dhe të sëmundjeve të mushkërive, i cili ka funksionuar që nga viti 1950, tani ka vetëm tre pulmologë, përfshirë drejtorin e Spitalit të Pejës.

Qendra, e cila dikur ka ushtruar funksionin e senatoriumit ku ofrohen trajtimi dhe kujdesi afatgjatë për pacientë nga e gjithë Kosova, tani nuk mund të trajtojë as pacientët vendorë nga Peja.

Në katin e parë të Spitalit special për sëmundje të mushkërive për të rritur dhe për fëmijë ndodhet Reparti i Pulmologjisë, i cili prej katër ditësh nuk ka pranuar asnjë pacient. Siç ka mësuar KOHA, shërbimi aty është ndërprerë për shkak se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë mjek të pranishëm në orar pune.

E të enjten KOHA ka mësuar se pacientët që i janë drejtuar këtij spitali për trajtim janë detyruar që të ktheheshin prapa. Disa prej tyre kanë treguar se mungesë të mjekëve gjatë ditëve të fundjavës ka edhe në Repartin e Infektives, i cili ndodhet në katin e dytë të objektit të Spitalit të Pejës.

Në këtë spital e kanë konfirmuar mungesën e mjekëve, porse kanë thënë që shërbimi për pacientë nuk është ndërprerë.

“Aktualisht kemi të punësuar dy pulmologë. Njëra prej tyre ndodhet në pushim mjekësor pas një intervenimi, ndërsa tjetra është në pushim vjetor të rregullt. Gjatë kësaj kohe, derisa të kthehet mjekja nga pushimi vjetor, pacientët që kanë nevojë për trajtim pulmologjik po trajtohen nga mjekët e Repartit Internistik, ndërsa rastet më të rënda dhe më të komplikuara referohen dhe transferohen në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, Prishtinë. Po ashtu ju njoftojmë se pacientët vazhdojnë të marrin shërbime laboratorike dhe ilaçet e nevojshme në Repartin e Pulmologjisë. Pra, shërbimi për pacientët nuk është ndërprerë”, kanë thënë në Spitalin e Pejës.

Një tjetër pulmolog, të cilin në Spitalin e Pejës nuk e kanë përmendur në përgjigje, aktualisht e mban pozitën e drejtorit të Spitalit.

KOHA ka kontaktuar me drejtorin Fahri Hasani, porse ai ka thënë se është prononcuar për çështjen nëpërmjet zyrës për informim.

E pulmologia në pension, Shefkije Çitaku, e cila ka punuar në Spitalin e Mushkërive në Pejë nga viti 1985 e deri më 2020, e ka cilësuar situatën aktuale të këtij institucion shëndetësor si fatkeqësi për shëndetësinë.

“Ky është një fat shumë i keq për shëndetësinë kosovare, ta them me plot kuptimin e fjalës, dhe më dhemb shpirti kur e them këtë, duke e ditur se si kemi punuar, sa kemi punuar e qysh kemi kontribuar. Në tej mase më dhimbset. Nuk e kemi menduar asnjëherë që vjen Spitali i Mushkërive në këtë gjendje. Patologjia e sëmundjeve të mushkërive vjen menjëherë pas sëmundjeve të zemrës”, është shprehur ajo.

Në vitin 2000, Çitaku ka thënë se Spitali ka pasur 24 pulmologë, të cilët ndër vite janë larguar, disa duke e lënë Spitalin, disa Kosovën e disa që janë pensionuar. Ajo ka shprehur vërejtje për mungesën e përgatitjes së kuadrove për fushën e pulmologjisë, teksa ka theksuar se viktimë të këtij “mosorganizimi” janë pacientët.

“Sot, në vitin 2025, janë vetëm 3 pulmologë, sepse nuk i kanë dhënë aspak rëndësi pulmologjisë. Për fatin tonë kanë vendosur të tjerët që nuk kanë qenë pulmologë fare, struktura të ndryshme politike. Gjithmonë kemi hasur në vesh të shurdhër, askush nuk ka dashur të dëgjojë për Pulmologjinë. Nuk mundesh ta shkollosh, ta bësh dikë pulmolog për një muaj e dy muaj. Duhen vite për t’u bërë kuadër. Së paku 5 vjet duhen për t’u bërë një mjek pulmolog. Çfarë të bëjmë ne tash? Të presim 5 vjet, ta mbyllim spitalin, për ta bërë një pulmolog”, është shprehur ajo.

Spitali special i Mushkërive në Pejë ka funksionuar që prej viteve ‘50. Qytetari i Pejës, Veprim Gusia, ka kujtuar kohën kur pacientët aty janë hospitalizuar me muaj të tërë.

“Të gjithë të sëmurët kosovarë kanë qenë këtu dhe përpara kur vinin pacientët rrinin nga 6 muaj. Për atë se janë këtu pishat, këta drunj, se ka traditë. Tash saktësisht unë nuk e di, unë si fëmijë këtu afër e kam edhe shtëpinë, vija këtu. Të shtunën dhe të dielën jepnin filma e visha t’i shikoja. E të sëmurit ishin gjithë të njëjtë, se nga 6 muaj e më tepër rrinin këtu”, ka thënë Gusia.

Lidhur me gjendjen në Repartin e Mushkërive të Spitalit të Pejës, KOHA ka adresuar pyetje edhe në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar (SHSKUK), porse gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.