Në Qendrën e Emergjencës të Spitalit të Pejës, shumica e kujdestarive gjatë shtatorit po mbulohen nga mjekë që nuk janë të profilit të emergjencës. Sipas një liste që e ka siguruar KOHA, rezulton se në mungesë të specialistëve të fushës, për t’i mbuluar kujdestarit janë angazhuar edhe stomatologë e kirurgë maksiolofacialë
Gjatë 19 ditëve të muajit shtator, kujdestaritë në Qendrën e Emergjencës në Spitalin e Pejës nuk do të mbulohen nga mjekë specialistë të fushës.
Bazuar në një listë që e posedon KOHA, kujdestaritë do të mbahen nga kirurgë maksilofacialë që për shkollim bazë e kanë stomatologjinë, mjekë të ORL-së, oftalmologë e kirurgë konsultantë. E tre specialistët e emergjencës, gjatë gjithë shtatorit do t’i kenë 11 ditë kujdestari.
Në dokument rezulton se shumica e 38 mjekëve të caktuar për kujdestari janë staf mjekësor jashtë profilit të emergjencës. Verifikimi i profileve është bërë edhe nëpërmjet listës publike të anëtarëve të Odës së Stomatologëve, e ku janë identifikuar 7 emra të përfshirë në kujdestari.
Në listë kujdestarie ka edhe mjekë që janë në vitin e parë të specializimit dhe me profile të ndryshme prej atij të emergjencës. Mes tyre, veç një është në ndjekje të specializimit për mjekësinë emergjente.
Në Spitalin e Pejës nuk treguan për profilet mjekësore të specialistëve të caktuar për kujdestari.
“Shërbimi i kujdestarisë në Emergjencë mbulohet gjithmonë nga ekipe të përziera, ku mjekët specializantë kujdestarojnë së bashku me mjekët specialistë. Ky model garanton që çdo rast të trajtohet nën mbikëqyrjen profesionale të specialistëve dhe që pacientët të marrin shërbim cilësor dhe të sigurt. Mjekët specializantë janë pjesë e procesit të kujdestarisë si pjesë e trajnimit të tyre praktik, por ata punojnë gjithmonë në bashkëpunim dhe nën mbikëqyrjen e specialistëve”, thuhet në përgjigjen nga spitali.
E specialisti i mjekësisë emergjente, Naser Syla, thotë se shkaku i natyrës së rasteve, kujdestaritë në Qendra Emergjente nuk guxojnë të mbulohen nga mjekë që nuk janë të profilit.
“Nuk guxojnë për shkak se nuk janë të profilizuar ata, nuk janë të përgatitur për trajtimin e rasteve emergjente. Vetëm specialistët e mjekësisë emergjente. Mjekësia interne, p.sh. internisti, mundet të jetë pjesë e trajtimit të pacientëve në departamentin e emergjencës, mundet të jetë si pjesë ndihmëse, mundet të jetë një internist dhe një kardiologë. Kurse kujdestaritë duhet t’i mbajë vetëm, d.m.th. punëtori në departamentin e emergjencës dhe specialisti i emergjencës”, ka thënë Syla.
Si shkak për angazhimin e mjekëve nga profile të tjera, Syla e thekson mungesën e kuadrove në lëmin e emergjencës.
“Jo veç që nuk ka specialistë, mirëpo edhe këta mjekët e rinj nuk janë të interesuar ta marrin Emergjencën, shumë pak për shkak se është lëndë joprofitabile në aspektin privat. Qëllimi i MSH-së dhe qëllimi i drejtorisë së ShSKUK-së dhe imi është që në 7 spitale rajonale të bëhen dy specialistë të Emergjencës në një ndërrim. Ky është qëllimi, por nuk jemi duke mundur të arrijmë hala për shkak të interesimit të vogël të mjekëve të rinj dhe atyre për ta marrë specializimin”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë situatë, KOHA u ka adresuar pyetje SHSKUK-së e Ministrisë së Shëndetësisë, porse nuk ka marrë përgjigje.