Arbëri

Me gjithë ndalesën, familjarët shoqërues nëpër klinika po kujdesen për të afërmit

Ndonëse qysh nga fillimi i muajit vizitat e familjarëve shoqërues te pacientët janë ndaluar me një urdhëresë nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës në SHSKUK, ky vendim po shpërfillet. Familjarët shoqërues herë pas here po lejohen fshehtazi që të hyjnë nëpër klinika me qëllim që të kujdesen për të afërmit e tyre. Shkak për këtë, edhe sipas disa infermerëve e edhe familjarëve, është mungesa e infermierëve për ta kryer këtë punë. E lidhur me këtë mungesë askush nga SHSKUK-ja nuk ka pranuar që të flasë

Në hyrjen e secilës klinikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është i vendosur një njoftim, në të cilin tregohet orari i vizitave të familjarëve te pacientët. Sipas këtij njoftimi, vizitat jashtë orarit të paraparë janë rreptësisht të ndaluara.

Vendimi përkitazi me këtë njoftim është marrë që nga fillimi i shtatorit, në formë të një urdhri për ndalimin e “pranisë së palëve të paautorizuara”, i lëshuar nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për drejtorët e klinikave.

Në vendimin e siguruar nga KOHA ceket se ndalohen rreptësisht hyrja dhe qëndrimi i vizitorëve, si dhe i personave që nuk janë pjesë e personelit shëndetësor.

“Koha e vizitave për pacientët e hospitalizuar është nga ora 14:00 deri më 14:30 dhe brenda hapësirave spitalore mund të futen maksimumi dy familjarë ose kujdestarë të pacientit, të cilët paraprakisht do të identifikohen nga rojat dhe shënohen në një fletore të vizitave nga infermierja në pultin e informatave”, shkruhet në urdhëresën për ndalim.

Megjithatë, KOHA gjatë të enjtes ka parë familjarë tek hynin dhe dilnin nga pothuajse secila klinikë.

Ani se nuk kanë pranuar që të flisnin para kamerës nga frika e pasojave, disa prej tyre kanë treguar se janë të detyuar ta shpërfillin vendimin dhe të hyjnë në objekte të klinikave për t’u kujdesur për të afërmit e shtrirë. Një pjesë e tyre kanë thënë se këtë duhet ta bëjnë ngase në shumicën e kohës për ta nuk ka se kush të kujdeset.

“Jo valla, nuk po kujdesen. As nuk po na lënë, as do gjëra personale, as që ju intereson. Kanë nevojë. Kanë nevojë, shumë bile. Ndodh që shkojmë bukën tek këmbët ua gjejmë, deri të shkojmë ne për me ua dhanë”, ka thënë njëra prej familjareve shoqëruese, në kushte anonimiteti.

Edhe një infermiere i ka treguar KOHËS se nganjëherë detyrohen që fshehurazi t’i lejojnë familjarët që të hyjnë, në mënyrë që ata t’u qëndrojnë afër pacientëve, për shkak të nevojës së madhe për kujdes gjatë tërë kohës.

Ajo ka treguar se në klinikën në të cilën punon një infermier kujdeset për rreth 15 pacientë.

Menaxhmenti i SHSKUK-së ka refuzuar që të flasë për mungesën e infermierëve në QKUK, si dhe për ndalimin e vizitave të familjarëve shoqërues te pacientët, pavarësisht se televizioni ka kërkuar intervistë për këtë gjë, disa herë gjatë së enjtës.

Pyetjeve të KOHËS lidhur me problemin nuk ka pranuar që t’u përgjigjet as ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci, me arsyetimin se ka një çështje urgjente.

“Kam urgjencë, më falni! Drejtojuni zyrës për media, ju lutem!”, ka thënë ajo teksa ka lëvizur dhe nuk është ndalur të komunikojë me ekipin e KOHËS.

E Zyra për informim nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet se sa është numri i infermierëve që aktualisht punojnë në QKUK dhe se për sa pacientë kujdeset një infermier.

Ish-drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, çështjen e mungesës së infermierëve e kishte ngritur qysh disa muaj më parë si një prej problemeve kryesore në Shëndetësi.

“Mungesat më të mëdha i kemi në stafin infermieror. Dhe sa i pëket stafit infermieror, në diskutim me MSH-në ne e kemi paraqitur një kërkesë. Tashmë janë të njoftuar të gjithë dhe sot zyrtarisht do të drejtohemi me një kërkesë. Me sa kemi informacione edhe MSH-ja po bën përpjekje në shtim të stafit shtesë, në veçanti të infermierëve”, kishte thënë Krasniqi.

KOHA ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, porse përgjigje nuk ka marrë. Si një prej shkaqeve për mungesën e infermierëve është theksuar largimi i tyre jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të siguruara nga Oda e Infermierëve të Kosovës, nga janari e deri më tash rreth 400 infermierë janë larguar nga Kosova për në Perëndim.