Arbëri

Klinikat me shumë pacientë e pak infermierë

spital

Ilustrim

Në Klinikën e Pulmologjisë ndodh që një infermiere shpesh të kujdeset e vetme për më shumë se një repart. Kjo, shkaku i mungesës së stafit që ka përfshirë thuajse të gjitha klinikat e QKUK-së. Në Odën e Infermierëve tregojnë arsyet e tkurrjes së numrit të këtyre profesionistëve shëndetësorë dhe theksojnë se mungesat kanë përfshirë edhe Intensiven, aty ku kujdesi i mantelbardhëve është më i nevojshmi

Klinika e Pulmologjisë është e stërngarkuar me pacientë. Por, problem në këtë klinikë mbetet numri i vogël i infermierëve, sidomos pas ndërprerjes së kontratës së 20 prej tyre që ishin angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, thotë se nevojat e klinikës që ka 66 shtretër janë shumë më të mëdha sesa numri i stafit që ka në dispozicion.

“Problemet paraqiten gjithmonë gjatë kujdestarive 24-orëshe që mbeten një numër i ulët, i vogël, i infermierëve për t’u kujdesur për numrin e shtretërve, kur fillojnë edhe pushimet vjetore që duhet t’i shfrytëzojë stafi infermier”, ka thënë Hoxha. “Atëherë na dalin probleme rreth angazhimit dhe stërngarkimit të infermierëve për shkak se ka ndodhur ndonjëherë që një infermier të kujdeset jo vetëm për një repart, për 16 pacientë, por kanë ndodhur raste edhe për dy reparte ka qenë gjatë kujdestarisë vetëm një infermier”.

Krahas mjekëve, edhe shumë infermierë kanë lëshuar institucionet publike shëndetësore, për t’u punësuar qoftë në ato private, qoftë jashtë vendit.

Në Odën e Infermierëve (OIK) thanë se nuk e dinë numrin e saktë të infermierëve qe kanë lëshuar QKUK -në, por theksuan se në shumicën e klinikave ka mungesë të tyre, për arsye të ndryshme, që përfshijnë: pensionimin; lëshimin e vendit të punës dhe shkuarjen jashtë; pushimin pa pagesë; pushimet e lehonisë; sëmundjet e ndryshme, e të tjerë.

“Kemi infermierë që dy vite kanë dalë në pension në disa klinika dhe nuk janë zëvendësuar fare. Pastaj pushimet e lindjeve, raste të cilat kur lindin nuk mund të jenë në turne për tri vite. Nuk zëvendësohen. Kemi shumë infermierë që janë me sëmundje të rënda dhe sëmundje kronike”, thuhet në një përgjigje të OIK-ut. “Që një kohë të gjatë kemi në disa klinika që një infermiere kujdeset për 20 pacientë. Edhe përkundër vullnetit shumë të madh të tyre që kanë që të japin shërbime sa ma të mira për pacientët, këtë gjë nuk kanë mundësi ta bëjnë për shkak të numrit të madh të pacientëve. Edhe në kujdesin intensiv kemi mungese të madhe të Infermierëve ku punon një infermiere apo 2 me 4 pacientë të rëndë”.

Klinika e Pulmologjisë, që aktualisht ka 32 infermierë, nuk ka përfituar nga konkursi i fundit në të cilin u pranuan 12 infermierë të rinj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas Hoxhës, bazuar në standardet ndërkombëtare, një infermier duhet të kujdeset për më së shumti 5 pacientë.

Hoxha thotë se problemi është paraqitur edhe te drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), së cilës i është kërkuar vazhdimisht shtimi i stafit.

“Nga ky numër i fundit, 15 infermierë që kanë qenë të punësuar kohëve të fundit, nuk kemi përfituar asnjë infermier që të na e dërgojnë në klinikën tonë. Por, siç duket, kemi nevojë për së paku 10 deri 20 infermierë për nevojat e klinikës, që sado-kudo të punohet në bazë të standardeve siç punohet edhe në shtetet më të zhvilluara”, ka thënë Hoxha.

Mungesë e stafit, e sidomos të infermierëve, ka raportuar vazhdimisht edhe Spitali i Pediatrisë, Klinika Emergjente dhe ajo e Kardiologjisë.

Në SHSKUK thanë se shpërndarja e 15 infermierëve është bërë në Klinikën e Anestezionit, atë të Emergjencës dhe te disa shërbime të tjera me nevoja emergjente.

“Gjatë vitit 2023 parashihet rritja e numrit të infermierëve, meqë bazuar në analizimin e situatës, nevoja për infermierë në klinika është e madhe, por kufizimet buxhetore kanë pamundësuar që në të kaluarën të ketë numër shtesë të infermierëve”, thuhet në një përgjigje të SHSKUK-së.

E në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se janë në proces të hartimit të planit strategjik për burime njerëzore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka lejuar dhe ka buxhetuar për kujdesin parësor shëndetësor 300 pozita të reja për profesionistë shëndetësorë dhe për kujdesin dytësor dhe tretësor shëndetësor 100 pozita të reja shtesë për profesionistë shëndetësorë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie. “Për informimin tuaj, Ministria e Shëndetësisë ofron mbështetje për kapacitete shtesë në raste të caktuara, siç ka qenë pandemia Covid-19”.

Në korrik të vitit të kaluar edhe ish-drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, pati thënë se ndër problemet më të mëdha që ata ballafaqohen është edhe mungesa e stafit.