Praktika profesionale në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional po cilësohet si jofunksionale dhe joefikase, pasi disa shkolla kanë mungesë të pajisjeve, e disa nuk posedojnë fare kabinete. Problemi po llogaritet të jetë mënyra e ndarjes të mjeteve financiare brenda arsimit të lartë.
Nxënësit e dy shkollave profesionale në Prishtinë kanë probleme në zbatimin e njohurive teorike në ato praktike, pasi këto institucione kanë mungesë të laboratorëve adekuatë.
Me mungesë të pajisjeve moderne teknologjike po përballen nxënësit e shkollës elektroteknike “Gjin Gazulli”.
Drejtori i kësaj shkolle, Bujar Gjocaj, thotë se kabinetet e tyre kanë nevojë për të paktën 60 kompjuterë për të zhvilluar praktikën në mënyrë profesionale.
“Shkolla jonë momentalisht nuk qëndron mirë me pjesët e praktikës profesionale e sidomos informatika, ne kemi tri laboratorë të informatikës po nuk është investuar që disa vite në ato laboratorë, disa kompjuterë i kemi jo të kohës, jo të zhvillimit të teknologjisë, mirëpo si shkollë profesionale jemi në rrugë të mirë”, ka thënë Gjocaj.
Ndërsa, shkolla e mesme e hotelerisë, turizmit dhe tregtisë “7 Shtatori”, funksionon pa asnjë kabinet për mbajtjen e praktikës.
Në këtë shkollë realizohet vetëm ana teorike, ndërsa praktika zhvillohet në biznese private.
“Kemi nevojë se për momentin ne punojmë pa punëtori në shkollë, mirëpo kemi marrëveshje me LUX DEV dhe Komunën e Prishtinës, ku do të bëhet shkolla e re me standarde evropiane, ku përveç praktikës jashtë shkollës, e gjithë praktika do të realizohet, sidomos për klasë të 10-ta që edhe me plan-program është të realizohet në shkollë, do të bëhet në punëtori të shkollës, për momentin jemi duke punua në këto kushte aq sa i kemi”, ka thënë Shemsie Ibrahimi, mësimdhënëse në këtë shkollë.
Edhe
Ministria përfshin lëndën e kodimit, por shumë shkolla janë pa kompjuterë e internet
Organizata “ETEA” në bazë të një hulumtimi thekson se praktika në institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional është jofunksionale e joefikase.
“Krejt kjo duket të jetë për shkak të keqformulimit të formulës financiare nga Republika e Kosovës e cila buxhetin kur e ndan për shkolla të mesme të larta, e ndan njëjtë si për shkolla profesionale si për gjimnaze, te marr parasysh krejt këto që janë mungesa, shkollat profesionale duhet t'i mbulojnë ose me donatorë të jashtëm ose realisht të mos e mbajnë praktikën fare”, ka thënë Velsa Shabani, autore e hulumtimit.
Në Kosovë janë gjithsej 68 institucione që ofrojnë arsim dhe aftësim profesional, të cilat përmbajnë në vete 119 profile nga sektorë të ndryshëm ekonomikë.