Qendrat e ekselencës e shkollat profesionale edhe këtë vit do të funksionojnë pa planprogram të unifikuar, kjo pasi Ministria e Arsimit nuk ka arritur ende të finalizojë Kornizën e Kurrikulës Bërthamë për këto institucione. Divergjenca në planprogram u ka shkaktuar probleme qendrave të kompetencës në fitimin e akreditimit nga Autoriteti Kombëtar për Kualifikime. E në Ministri të Arsimit kanë thënë se dokumenti është në fazën finale të aprovimit.
Edhe këtë vit institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional do të funksionojnë me laramani të planprogrameve.
Kjo, pasi Ministria e Arsimit nuk ka arritur të finalizojë Kornizën e Kurrikulës Bërthamë për shkollat profesionale, edhe pse ishte zotuar se dokumenti këtë vit do të hyjë në funksion.
Në qendrën e kompetencës në Prishtinë “Shtjefën Gjeçovi” kanë thënë se divergjenca në planprogram është duke u shkaktuar probleme në mësimdhënie.
DEK: Blerim Gërvalla, drejtor në qendrën e kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”
“Pra, është laramani e cila nuk është dashur të ndodhte. Është dashur që të startojmë me të gjitha profilet, për arsye se kjo po krijon disa hamendësime, disa paqartësi te mësimdhënësit, por edhe te nxënësit”, ka thënë Blerim Gërvalla, drejtor në qendrën e kompetencës “Shtjefën Gjeçovi..
Shkollat profesionale funksionojnë me Kurrikulën e viti 2013 dhe të vitit 2019.
Në Ministrinë e Arsimit kanë thënë se dokumenti është në fazën finale të aprovimit.
“MASHTI e ka hartuar Kornizën e kurrikulit për AAP, në hartimin e së cilës janë përfshirë ekspertë të fushës dhe partnerët zhvillimorë dhe socialë, dhe tashmë ky dokument është në fazën e finale të aprovimit”, ka thënë MASHTI.
Për shkak të mosmiratimit të Kornizës së Kurrikulës Bërthamë, këto institucione nuk kanë arritur të marrin akreditimin nga Autoriteti Kombëtar për Kualifikime.
“Ne në vitin 2018 kemi aplikuar për akreditim në institucionin përkatës dhe me të vërtetë pas gjithë atij volumi të dokumentacionit që i kemi dërguar në autoritet ne fatkeqësisht na është refuzuar akreditimi si shkollë, kemi konkurruar me tri programe: automekanik, metal punues dhe instalim të ngrohjes dhe na është kthyer se gjoja kurrikulën nuk e keni me kurrikulë bërthamë”, ka thënë Blerim Gërvalla, drejtor në qendrën e kompetencës “Shtjefën Geqovi”
.E në Ministrinë e Arsimit kanë lënë të hapur mundësinë e rishikimit të bazës ligjore, gjatë së cilës do të trajtoheshin shumë çështje në funksion të një zgjidhjeje funksionale për qendrat e kompetencës.
“Procesi i validimit dhe akreditimit të IAAP-ve (Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional) është rregulluar me Ligjin për Kualifikime Kombëtare dhe udhëhiqet nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve. MASHTI është duke analizuar mënyrën më të përshtatshme për këtë edhe mbi bazën e praktikave dhe shembujve të vendeve të tjera”, ka thënë MASHTI.
Në Kosovë janë gjithsej 68 institucione publike që ofrojnë arsimin dhe aftësimin profesional, gjashtë prej tyre janë Qendra të Kompetencës.
Këto institucione përmbajnë në vete 119 profile nga sektorë të ndryshëm ekonomikë.