Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxënësit e epokës së AI-së mësojnë me kurrikulën e para një dekade

Nxënësit e epokës së AI-së mësojnë me kurrikulën e para një dekade

Kurrikula Bërthamë e Arsimit në Kosovë vazhdon të mbetet e pandryshuar, pavarësisht transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në kontekstin shoqëror e teknologjik përgjatë 10 vjetëve të fundit. Njohës të arsimit thonë se mënyra e të nxënit ka ndryshuar ndjeshëm, por përmbajtja dhe qasja në shkolla kanë mbetur prapa këtyre zhvillimeve. Sipas tyre, kjo po e bën të domosdoshëm rishikimin e kurrikulës

Kurrikula Bërthamë e Arsimit nuk ka ndjekur ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë 10 vjetëve në shoqëri dhe teknologji.

Ajo është në fuqi që nga gushti i 2016-s, dhe nxënësit mësojnë duke u bazuar në të, ndonëse shumë gjëra kanë ndryshuar. Tani, shumë shtete të botës kanë integruar edhe komponenten e inteligjencës artificiale (AI).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Njohës të arsimit thonë se mënyra e të nxënit ka evoluar, por përmbajtja bazë e mësimdhënies në shkolla nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm ndryshimi.

Njohësi i arsimit, Ismet Potera, thotë se ajo që mësohet në klasë, nuk përputhet gjithmonë me hapin me të cilin po zhvillohet bota jashtë saj.

“Pasojat ose problemet e kësaj janë se fëmijët dhe nxënësit hasin në disa kundërshtime ndoshta me zbulime të reja ose ndryshime, të cilat ndodhin në shkencë ose shoqëri. E tash në kurrikulë mësojnë diçka tjetër sepse janë të vjetruara. 10 vjet janë shumë më zhvillimet e sotme, kështu që kjo mund të paraqesë edhe monotoni të fëmijët ‘Çka na duhet me i mësu ne këto gjëra kur ato kanë ndryshuar’”, thotë Potera.

Ndërsa Xhavit Rexhaj, i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit, thotë se zhvillimet teknologjike kanë ndryshuar edhe mënyrën se si prodhohet dhe transmetohet dija.

“Dija është e tejkaluar, edhe informata e edhe metodologjia. Për shembull, para 10 vjetëve nuk ka pasur inteligjencë artificiale. Tash është inteligjenca artificiale. Para 10 vjetëve nuk kanë qenë të digjitalizuara tekstet. Tash janë. Domethënë, edhe në metodologji, edhe në përmbajtje, edhe në kontekstin e përgjithshëm ka aq shumë ndryshime saqë është dashur me i marr parasysh dhe me e modifiku kurrikulën, edhe planprogramet që me i reflektu dyshimet”, ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, sot nxënësit shpesh e përdorin teknologjinë në mënyra që nuk janë gjithmonë të duhura, përfshirë edhe kopjimin.

“Mësimdhënësit të cilët e japin kurrikulën i kanë parasysh të gjitha ndryshimet. Përdorin mjete të reja, qasje të reja, i përdorin edhe vetë, edhe për me i vlerësu nxënësit, edhe për me bo teste, edhe për me e përgatit orën, i përdorin mjetet e Chat-it. Kështu që, njerëzit e ecin hapin, por shteti duhet me kurrikulë me integru qysh duhet, sepse tash për shembull ke raste kur fëmijët e përdorin Chat-in me kopju e kurrikula do ta rregullonte mënyrën e përdorimit të teknologjive dhe qasje të reja të zhvillimeve të reja”, ka thënë Rexhaj.

Nevojën për rishikim dhe përshtatje të kurrikulës e thekson edhe nënkryetarja e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Linda Dula-Halilabazi.

“Kurrikula është dashur të rishikohet, të përshtatet me nevojat dhe zhvillimet e kohës. Po, prindërit kanë ankesa të kohëpaskohshme për përmbajtjen e kurrikulës, respektivisht librave shkollorë. Fëmijët më shumë po mësohen të kopjojnë nga përdorimi i teknologjisë, sado që shkolla mundohet t’i mësojë që ta përdorin atë për ndihmë dhe zhvillim të njohurive që tashmë i kanë nxënë”, ka thënë ajo.

Nevoja për ndryshime në këtë kurrikulë është diskutuar këtë vit, kur janë bërë 10 vjet nga rishikimi i saj. Në janar të këtij viti, ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka formuar një komision për rishikimin e kurrikulave lëndore.

Një nga anëtarët e këtij komisioni, Selim Mehmeti, ka thënë se në takimin e fundit është diskutuar mënyra e veprimit dhe është paraparë përgatitja e një plani të punës për rishikim pasi të miratohej nga kabineti i ministrit Hajrulla Çeku, por me shkuarjen e vendit në zgjedhje, nuk ka pasur më vazhdimësi të komisionit të punës.

Kurrikula Bërthamë e Arsimit është rishikuar për herë të fundit në gusht të vitit 2016.