Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PISA 2025 alarmon për rënien globale të leximit, sfidë e re mbetet përdorimi i AI-së nga nxënësit

nxënës-shkolla

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Në kohën kur Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik po përgatitet ta vendosë leximin në qendër të PISA 2029, rezultatet e PISA 2025 tregojnë se kjo është fusha ku nxënësit kanë pësuar një nga rëniet më të mëdha, 25 pikë më pak në mesataren në vetëm shtatë vjet. Në Kosovë, vetëm 16% e nxënësve arrijnë nivelin bazë në lexim. Ekspertët thonë se përveç mënyrës së mësimdhënies dhe rolit të prindërve, sfidë e re është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale nga nxënësit.

Aftësia e 15-vjeçarëve për të lexuar, kuptuar dhe analizuar një tekst ka pësuar rënie të ndjeshme në vitet e fundit.

Të dhënat e testit PISA 2025 tregojnë se në vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, rezultati mesatar në lexim ka rënë për 25 pikë që nga viti 2018.

Vetëm nga viti 2022 deri më 2025, rënia ishte 14 pikë.

Nga 74 vendet dhe ekonomitë për të cilat OECD ka të dhëna të krahasueshme për periudhën 2018–2025, në 56 prej tyre është regjistruar rënie statistikisht domethënëse në lexim.

Rezultatet tregojnë se vështirësitë e nxënësve nuk lidhen vetëm me leximin e një teksti, por edhe me aftësinë për ta kuptuar dhe analizuar atë.

Drejtori i organizatës ETEA, Agon Ahmeti, thotë se lexueshmëria, kultura e leximit dhe shkathtësitë e leximit janë probleme globale.

“E kemi një situatë shqetësuese nëse e marrim Kosovën por që nëse e marrim në krahasim me nivelin global lexueshmëria, kultura e leximit e pastaj edhe shkathtësitë e leximit që lidhen me atë që kupton gjatë leximit janë probleme globale. P.sh një studimin UNICEF për 10 vjetarët i bërë 4 ose 5 vjet më herët nxjerr që dy të tretat e 10-vjeçarëve në nivel global nuk arrijnë me kuptu një tekst të thjesht, nuk kanë shkathtësi bazike të leximit”, thekson ai.

Por Ahmeti tha se në Kosovë situata është edhe më shqetësuese, pasi 85 për qind e nxënësve nuk arrijnë ta kuptojnë një tekst të thjeshtë, që i bie se tetë nga dhjetë nxënës nuk kanë aftësi bazike të leximit.

E për këtë, sipas tij, ndikojnë disa faktorë.

“E para ka të bëjë me mënyrën se si interpretohet dhe plasohet rëndësia e leximit në shkolla nga ana e mësimdhënësve. E dyta ka të bëjë me modelimin që e ofron prindi për fëmijën, kemi në një studim të ETEA mbi 45 përqind të nxënësve që kanë thënë se nuk e kujtojnë herën e fundit kur i kanë parë prindërit me libër në dorë. Pastaj kemi mënyrën ose përmbajtjen e tekstit sidomos teksteve letrare që janë lekturat shkollore të cilat mbi bazën e studimeve kanë kogja shumë probleme sidomos në rëndesën e gjuhës pastaj në përmbajtje”, tha Ahmeti.

Sipas rezultatit të testit PISA, 46 për qind e nxënësve e përdorin inteligjencën artificiale për ndihme në detyra.

E OECD-ja njofton se po përgatitet ta vendosë leximin në qendër të PISA 2029, ku vëmendje e madhe do ti kushtohet lëndës “media dhe Inteligjenca Artificiale”.

E në Kosovë, Ahmeti thotë se nuk ka as një doracak që tregon se cila është mënyra e duhur dhe e përgjegjshme edhe etike e përdorimit të inteligjencës artificiale.

“Fatkeqësisht Kosova nuk e ka e as nuk ka nis me mendu në drejtim të hartimit të një rregullative të paktën publikimin e një doracaku se cila është mënyra e duhur dhe e përgjegjshme edhe etike e përdorimit të inteligjencës artificiale që kjo pastaj të shmang varësinë, bartjen e mendimit në teknologji e këto me radhë sepse këto janë sfida me të cilat po përballet bota por kur flasim për mënyrën e përdorimit ajo mbetet shqetësuese sepse nxënësit po e përdorin në mënyrë vetanake, vetvetiu ashtu siç ata mendojnë se është mënyra më e mirë e ne e dimë që natyra njerëzore është e prirë me arrit një qëllim në rrugën më të lehtë të mundshme”, tha ai.

PISA 2025 shënon ciklin e nëntë të vlerësimit që nga nisja e tij në vitin 2000. Në këtë raund të fundit, mbi 760.000 nxënës përfunduan vlerësimin, duke përfaqësuar rreth 33 milionë 15-vjeçarë në 91 vende.