Arbëri

MASHTI ende nuk e ka miratuar “Kurrikulën bërthamë” për shkollat profesionale

Qendra e Ekselencës në Prishtinë, ajo në Malishevë dhe një nga dy të tilla që i ka Prizreni, funksionojnë pa profile të akredituara. Ndërkaq tjetra që ndodhet në Prizren, bashkë me qendrën në Ferizaj dhe Skenderaj, kanë të akredituara vetëm një numër profilesh. Krejt kjo po del të jetë si pasojë e mos miratimit të “Kurrikulës Bërthamë” nga Ministria e Arsimit.

Shumica e drejtimeve në gjashtë qendra të kompetencës që funksionojnë në Kosovë nuk janë të akredituara nga Autoriteti Kombëtar për Kualifikime.

Pa profile të akredituara funksionojnë qendra në Prishtinë, ajo në Malishevë dhe një nga dy të tilla që i ka Prizreni. Ndërkaq tjetra që ndodhet në Prizren, bashkë me qendrën në Ferizaj dhe Skenderaj, kanë vetëm një numër profilesh të akredituara.

Në institucionin përgjegjës për qendrat thonë se ato janë penalizuar shkaku që Ministria e Arsimit nuk e ka miratuar “Kurrikulën bërthamë” për shkollat profesionale.

"Kur ka filluar në vitin 2018, shkollat nuk kanë qenë në gjendje që t’i plotësojnë disa prej këtyre kritereve që i përmenda, sepse nuk varet direkt prej institucionit. Pjesa e kurrikulës, standardeve të profesionit, të gjitha këto janë procese që duhen të ngërthehen në këtë aspekt nga institucione qendrore, në mënyrë që pasi të aplikojmë për akreditim të mos kemi këso lloj pengesash", ka thënë Muhamet Ibriqi nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur.

E në qendra të kompetencës thonë të kenë marrë premtimin që nga viti i ardhshëm shkollor Ministria do ta hartojë kurrikulën.

"Vitin e kaluar na është thënë që me u përgatit edhe për disa profile të tjera, pasi që në momentin e fundit nuk kemi mundur me startu për shkak se është ardhur njoftimi zyrtar prej Ministrisë që edhe këtë vit të mos fillojmë, me shpresën që këtë vit, vitin 2022-23, të fillojmë me Kurrikulën bërthamë", ka thënë Blerton Bahtri, zëvendësdrejtor në qendrën e kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”.

Një hulumtim i organizatës austriake ALLED2 ka gjetur se nga 112 profile të ofruara nga shkollat profesionale, 92 nuk janë të bazuara në standarde të profesionit. Sipas hulumtimit, mungesa e standardeve të këtilla kufizon nivelin e shkathtësive që përvetësojnë nxënësit, të cilët i vijojnë këto profile.

ETEA, një organizatë tjetër që ka bërë një hulumtim në shkollat profesionale, ka konstatuar se nëse do të rritej cilësia, mundësia e punësimit të të diplomuarve do të ishte më e madhe.

“Në rastin tonë nëse rriten kriteret për akreditim edhe bëhet njëfarë plani shumë më i koordinuar kish me qenë tepër e mirëseardhur në përmirësimin e situatës së papunësisë", ka thënë Shkëlqim Berisha, menaxher i projekteve në ETEA.

Në Autoritetin Kombëtar për Kualifikime thonë se shkollat profesionale hezitojnë të aplikojnë. Një nga arsyet përmendin tarifën që duhet paguar për procesin e akreditimit.

"Përafërsisht për një shkollë profesionale me aplikua me dy-tri profile diku 8 mijë euro është kostoja që i kushton një shkolle", ka thënë Muhamet Ibriqi nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur.

E në Ministrinë e Arsimit kanë lënë të hapur mundësinë e rishikimit të bazës ligjore, gjatë së cilës do të trajtoheshin shumë çështje në funksion të një zgjidhjeje funksionale për qendrat e kompetencës.

Megjithëse qendrat mund të funksionojnë edhe pa akreditim, ky proces ua siguron cilësinë, harmonizimin e kërkesave me tregun e punës, njohjen e mësimit paraprak, si dhe njohjen e diplomave ndërkombëtarisht.