Rreth 40 mijë nxënës janë pjesë e arsimit dhe aftësimit profesional, ndërsa 920 nga ta janë të përfshirë në arsimin dual. Arsimi dual është një sistem në të cilin aftësimi në një kompani kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale. Në raportin e Komisionit Evropian për këtë vit ndërlidhja e arsimit dhe e aftësimit profesional me tregun e punës është vlerësuar si një prej fushave ku nuk është shënuar progres
Kryeministri Albin Kurti e ka kualifikuar si prioritet të qeverisjes së tij fuqizimin e arsimit dhe aftësimit profesional me qëllim që fuqia punëtore të jetë e kualifikuar për industritë vendore.
Në lansimin e fushatës për imazhin e arsimit dhe aftësimit profesional, të martën, Kurti ka theksuar se vendit i nevojitet profesionalizëm joakademik dhe vlerësoi se ky nivel i edukimit duhet të shihet si vlerë e shoqërisë.
“Të gjithëve na rastis që të takojmë ndonjë akademik joprofesionist, por ne kemi nevojë si shoqëri që sjellim profesionalizëm joakademik, pra për njerëz të cilët kryejnë punë për rritje ekonomike, për mirëqenien familjare e për dinjitetin e tyre”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se Arsimi dhe Aftësimi Profesional janë thelbësor për mirëqenien sociale, para kryqëzimit të ndryshimeve globale. Kësisoj, ai ka shtuar se bashkëpunimi me Qeverinë gjermane tregon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës.
“Duke mësuar nga modeli gjerman, Qeveria jonë synon të integrojë praktikat më të mira me kontekstin tonë unik; një sistem i cili u përgjigjet nevojave të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, por edhe potencialeve të vendit tonë. Këtu bashkëpunimi i ngushtë mes kompanive, shoqatave përkatëse, shkollave profesionale, nxënësve, por edhe prindërve tonë, është parakusht i çdo përpjekjeje institucionale për ndërtimin e sistemit dual”, ka thënë ai.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nëpërmjet 14 profileve të arsimit dual po kontribuohet në sigurimin e së ardhmes së të rinjve.
“Arsimi dhe aftësimi profesional u jep zgjidhje shumë ekonomive në botë dhe si i tillë, arsimi dual është edhe një prej mënyrave përmes të cilave Kosova po ecën në hap me vende të tjera të zhvilluara. Koncepti i dualitetit, i cili dikur shihej me rezerva, pasiguri edhe diçka si jo shumë e mirë për shkak të gërshetimit të mendësisë, sot është kthyer në një vlerë”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, e ka potencuar rëndësinë e angazhimit të Qeverisë, të shkollave dhe të bizneseve në mënyrë që ky nivel i edukimit të jetë i suksesshëm.
“Gjermania është duke investuar në zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë. Për të qenë të suksesshëm në këtë drejtim, neve na duhet bashkëpunimi me të gjithë akterët, me Qeverinë, bizneset, shkollat dhe me partnerët e tjerë... Është me rëndësi që të bëhen ndryshime në ndërlidhjen e profileve arsimore me tregun e punës, në mënyrë që të ndryshojë edhe perceptimi për shkollat profesionale”, ka thënë Rohde.
Rreth 40 mijë nxënës janë pjesë e arsimit dhe aftësimit profesional, ndërsa 920 nga ta janë të përfshirë në arsimin dual. Arsimi dual është një sistem në të cilin aftësimi në një kompani kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.
Në raportin e Komisionit Evropian për këtë vit ndërlidhja e arsimit dhe e aftësimit profesional me tregun e punës është vlerësuar si një prej fushave ku nuk është shënuar progres.
Sipas Raportit, profilet që ofrohen nga shkollat profesionale nuk bazohen në standardet profesionale dhe shpesh nuk janë të harmonizuara me kërkesat në tregun e punës.