Arbëri

Digjitalizimi i arsimit: 15 për qind e shkollave pa internet

Mbi 9 mijë është numri i kompjuterëve që posedojnë mbi 1 mijë institucione publike të arsimit parauniversitar. Por digjitalizimi sipas drejtuesve të shkollave nuk ka arritur në nivelin e duhur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 15 për qind e shkollave nuk janë të lidhura me internet. E prindërit kanë thënë se shkollat janë duke vuajtur pasojat e mosdigjitalizimit

Afro 15 për qind e institucioneve publike të arsimit parauniversitar nuk janë të lidhura me internet, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. (MASHTI). Në të dhënat e Ministrisë të publikuara në Strategjinë e Arsimit 2022-2026, është thënë se numri i kompjuterëve në shkollat publike është 9,138, apo mesatarisht 1 kompjuter për 35 nxënës.

Mimoza Lipaj, mësimdhënëse në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë, mësimin e zhvillon në mënyrën klasike, pasi klasa e saj nuk është e furnizuar me asnjë pajisje teknologjike. Ajo e ka konsideruar digjitalizimin e arsimit, si të nevojshëm për zhvillimin e kreativitetit dhe të përforcimit të njohurive digjitale për nxënësit.

“E vlerësoj në çdo aspekt, është puna më e lehtë për mësuesit, më e kapshme për fëmijët, pasi fëmijët e shohin atë çfarë e prezanton para tyre”, ka thënë Lipaj.

Në këtë shkollë përveç mungesës më pajisje të mjaftueshme teknologjike, drejtori Skender Halimi, ka thënë se ballafaqohen edhe me internet të shpejtësisë së dobët.

E përveç kësaj, Halimi ka thënë se fotokopjimin e materialeve mësimore e dokumentacionin për nxënës, e bëjnë me buxhet vetjak, pasi siç thekson ai nuk janë furnizuar tash e tri javë me ngjyrë printimi.

“Ne po jetojmë në një epokë digjitale, edhe po punojmë me shkolla të shekullit XIX, pjesërisht të shekullit XX, pra e kemi një shkëputje në mes kohës dhe procesit të mësimdhënies e mësimnxënies që bëhet në shkollë”, ka thënë ai. “Pra sa i përket pjesës materiale, kompjuterë, projektor, laptop, nuk është se qëndrojmë mirë, kabinetin e teknologjisë e kemi dhe është funksional, por a mjafton një kabinet i teknologjisë për 1300 nxënës”.

Digjitalizimi i Arsimit është në pesë objektivat kryesore të Ministrisë së Arsimit për ngritjen e cilësisë në procesin mësimor. Ministria ka premtuar që secila klasë në institucionet e arsimit parauniversitar do të pajiset me së paku një laptop e projektor brenda 5 vjetësh.

Në Këshillin e Prindërve të Kosovës, është thënë se shkollat vuajnë pasojat e mosdigjitalizimit. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, ka thënë se mungon konsistenca e përdorimit dhe avancimit të proceseve digjitale.

“Pra nuk është çështja vetëm te bërja e një procesi, por te konsistenca e përdorimit dhe avancimit të tij. Andaj, dyshoj që këto iniciativa ‘të reja’ do të kenë ndikimin e nevojshëm dhe të pritshëm ngase që kjo të ndodhë, ndryshimet, duhet të jenë strukturore, afatgjata, të mbikëqyrura dhe serioze”, ka thënë Demi.

Demi vë në dyshim dobinë e njohurive që nxënësit janë duke i marrë nga një sistem i cili sipas tij, nuk është në hap me epokën digjitale.

“Më shumë që kemi problem me mënyrën si funksionojnë shkollat, e kemi shqetësimin se sa i shërbejnë shkollat të ardhmes së fëmijëve tanë?! A janë ato njohuri, informacione e dije mjete që mund t'i përdorin në praktikë pas shkollimit fëmijët tanë?!”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, kryeministri Albin Kurti, në një konferencë të organizuar nga Ministria dhe UNICEF për “Transformimi i Arsimit në Kosovë me Pasaportën e të Nxënit”, ka njoftuar se ka dedikuar një buxhet qeveritar prej 18 milionë eurosh për një periudhë 3-vjeçare që do të shërbejë për të financuar blerjen e pajisjeve digjitale për shkolla.

“Digjitalizimi ka potencialin të revolucionarizojë mënyrën në të cilën jepet mësimi. Me përdorimin e teknologjisë, mësimdhënësit mund të krijojnë dhe të ofrojnë njësi mësimore, të japin dhe të bëjnë vlerësimin e detyrave dhe të komunikojnë me nxënësit në mënyrë më efikase. Kjo mund të lirojë më shumë kohë për ata që të përqendrohen në aspektet më kritike të mësimdhënies”, ka thënë Kurti.

Digjitalizimin e arsimit, Ministria e ka paraparë që të bëjë përmes realizimit të pesë drejtimeve. Krijimi i një platforme digjitale gjithëpërfshirëse e të centralizuar për fushën e arsimit, është një ndër pesë pikat kyçe. Deri më tani kjo platformë ende s’është zbatuar.

Përgatitja e materialeve mësimore digjitale për të gjitha nivelet, furnizimi i institucioneve arsimore me rrjet të internetit cilësor dhe me pajisje teknologjike, kultivimin e kompetencës digjitale te të gjitha palët e përfshira në fushën e arsimit dhe krijimin e mekanizmave institucionalë që mundësojnë realizimin e digjitalizimit, janë pikat e tjera kyçe që janë përfshirë në strategjinë e Ministrisë.