Futboll

Fitore e madhe e Drenicës ndaj Ballkanit

Drenica

Drenica ka vazhduar me rezultate pozitive me trajnerin Bylbyl Sokoli dhe të shtunën ka shënuar fitore të madhe.

Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj në xhiron e 13-të të Superligës së Kosovës në futboll, Drenica fitoi 2:0 ndaj Ballkanit. Ballkani që është prej kandidatëve për titull kampioni, e pësoi humbjen e parë pas një muaji. Humbjen e fundit, Ballkani e kishte pësuar më 4 tetor nga Prishtina në “Fadil Vokrri”.

Ndërkohë, për Drenicën që kishte ecuri prej katër humbjeve të njëpasnjëshme, ishte fitorja e dytë në tri ndeshjet e fundit. Përveç Ballkanit, Drenica e mposhti edhe Dritën, teksa barazoi me Prishtinën e Re.

Udoyen Akpan në minutën e 56-të shënoi për 1:0, ndërsa golin e dytë e realizoi Kreshnik Uka, në minutën e 63-të.

Në të dyja golat asistues ishte Indrit Prodani.

Drenica ngjitet përkohësisht në pozitën e katërt me 18 pikë, një më shumë se Dukagjini dhe Llapi. Dukagjini e ka një ndeshje më pak të luajtur dhe zë vendin e pestë, ndërsa Llapi është i gjashti.

Ballkani mbetet me 23 pikë dhe nuk e shfrytëzoi mundësinë për të dalë në krye të tabelës me pikë të njëjta me Prishtinën. Prishtina e para ka 26 pikë. Në këtë fundjavë, Prishtina nuk do ta zhvillojë derbin me Dritën, për shkak se dy futbollistë të Dritës kanë marrë ftesë nga përfaqësueset. Portieri Faton Maloku u ftua nga Kosova, kurse Salifu Ibrahim nga Benini.

Lexo përditësimet tjera
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK)

Drenica mposht Ballkanin, barazojnë Llapi e Prishtina e Re