Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve po kërkohet edhe nga prindërit, të cilët thanë se për këtë ka mungesë serioziteti profesional të institucioneve.
Në Këshillin e Prindërve të Kosovës kanë thënë se janë habitur me faktin që për tërë këto vite janë vlerësuar vetëm 750 mësimdhënës nga rreth 23 mijë sa janë të angazhuar në institucionet parauniversitare.
Sipas tyre, mungesa e vlerësimit të mësimdhënësve ka shkaktuar pasoja të shumta si në organizimin e procesit mësimor, zhvillimit profesional të vazhdueshëm, por edhe në krijimin e në klime joprosperuese nëpër shkolla.
“Kjo gjendje pasqyron mosangazhimin serioz e profesional të institucioneve mbikëqyrëse arsimore në vazhdimësi. Presim që procesi i vlerësimit të mësimdhënësit të jetë i mirëplanifikuar dhe organizuar në mënyrë që të kemi matës të saktë të performancës dhe jo procese administrative joefektive. Besojmë se për çdo gjë mësimdhënësit duhet të kenë vlerësim të performancës, sikurse në çdo organizatë serioze që bëhet një vlerësim i tillë, por me specifikat që ka sektori i arsimit”, thotë Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve.
Besnik Dragusha, prindër i dy fëmijëve që ndjekin mësimin në shkollën fillore “Qamil Batalli” në kryeqytet, ka thënë se vlerësimi i performancës duhet të bëhet me qëllim të rritjes së cilësisë dhe jo ndëshkimit të mësimdhënësve.
“Nëse flas në aspektin e çdo zyrtari publik duhet të bëhet nga institucionet në mënyrë të rregullt nga institucionet në mënyrë gjetëse, kjo do të ndikonte në cilësinë punës, kjo nënkupton edhe mësimdhënësit cilindo qofshin ata do të duhej ta kishin një kontroll sistematike të punës së tyre se sa janë duke e përfillur kurrikulën dhe si janë duke e mbajtur procesin mësimor në mënyrë që të bëhet rritja e cilësisë dhe përgjegjësisë dhe e performancës së tyre”, tha Dragusha.
Për shkak të mungesës së inspektorëve, Ministria e Arsimit është duke punuar në ndryshimin e legjislacionit për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Ministria planifikon që kompetencat për vlerësim të mësimdhënësve t’ua japë vetë shkollave.
Përveç drejtorit, do të përfshihet edhe menaxhmenti i mesëm, ku në përbërje do të ketë mësimdhënësit. Kjo sipas ministrisë, po ashtu, do t’iu gjejë punë mësimdhënësve që nuk kanë normë të plotë.
Njohësi i arsimit, Osman Buleshkaj, thotë se duhet të përcaktohen kriteret se cilët persona janë kompetentë të bëjnë vlerësime të mirëfillta.
“Ka rrezik të kalojë prej një problemi në një problem të tjetër që ekziston që të krijojë një sërë problemesh të tjera, nuk do të thotë që mësimdhënësit të cilët ju po i thuani tepricë, unë po ju them mësimdhënësi që nuk ka normë të plotë pune nuk do të thotë ata që nuk normë pune janë vlerësues të mirë të performncës së mësimdhënësve të tjerë, prandaj do të bëhej gabim nëse me një formulë të thjeshtë do të bëhej mësimdhënësit tepricë kalojnë në vlerësues të perfomancës”, thotë Bulekshaj.
Procesi e vlerësimit të mësimdhënësve ka filluar në vitin 2018, ndërsa ka ngecur për shkak të pandemisë. Sivjet ministria planifikon ta rinisë, por ende për këtë nuk ka një datë.