Arbëri

Muja: Pa përfshirjen e Kushtetueses s’do të zgjidhet kriza institucionale

Profesor i shkencave politike, Basri Muja, ka shprehur drojë se pa përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese nuk do të zgjidhet kriza institucionale, pasi të premten (sot) për herë të 20-të dështoi konstituimi i Kuvendit.

“Ky ngërç i ka befasuar edhe ata që kanë qenë më joptimist për zhvillimet në Kosovë. Jemi në një situatë ku dy taborët janë të betonizuar në qëndrime ekstreme. Të dyja palët kanë ngapak të drejtë, por është dashur të lëvizin kah qendra për të gjetur një zgjidhje”, deklaroi Muja në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai thekson se kriza aktuale nuk është thjesht çështje e mungesës së vullnetit politik, por edhe e numrave që i mungojnë të dyja palëve.

Sipas Mujës, pa ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, kjo situatë mund të mbetet e pazgjidhur për një kohë të gjatë.

“Presidentja bëri mirë që i ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike. U dha një mundësi për një platformë komunikimi, por kam frikë se nuk do të mund të dalim nga kjo situatë pa përfshirjen e Kushtetueses, e cila do të mund të kufizonte ose të gjente një zgjidhje për të dalë nga kriza institucionale”, u shpreh Muja.

Profesori u shpreh se kriza aktuale në Kosovë rrezikon jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe proceset e rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Duke komentuar edhe vizitën e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në Kosovë e Serbi, Muja ka thënë se një vlerësim i situatës në të gjithë Ballkanin është i mirëpritur.

“Nuk shoh diçka të keqe nga vizita e Kallasit në veri. Kosova nuk ka çka të fshehë. I ka dëgjuar edhe serbët atje, pasi e dimë që kjo pjesë e Kosovës është keqpërdorur nga pushtetet në Serbi. Por nuk jam shumë optimist për negociatat sepse Kosova është pa qeveri funksionale. Pa një qeveri të fuqishme nuk do të kemi negociata serioze”, ka deklaruar Muja.

Ai shtoi se edhe në Serbi situata nuk është e mirë, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë së re për shkak të protestave të studentëve.