Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Muja: Partitë të jenë të kujdesshme, janë zgjedhur për t’i ofruar vendit institucione

Basri Muja

Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka bërë thirrje që partitë parlamentare të jenë të kujdesshme dhe të tejkalojnë, siç ka thënë ai, egot e tyre, në mënyrë që vendit t’i ofrohen institucionet dhe stabiliteti institucional.

Muja ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet të zhvillojë diskutime me të gjitha partitë parlamentare dhe t’u ofrojë atyre platforma për diskutim për çështjen e presidentit.

“Kurti duhet të diskutojë me të gjitha partitë parlamentare. Kurti duhet t’u ofrojë atyre platforma për diskutim. Partitë do të duhej të ishin të kujdesshme, sepse ato nuk janë zgjedhur për vetveten, ato janë zgjedhur për t’i ofruar vendit institucione, në mënyrë që më në fund, pas 18 muajve, të kemi stabilitet institucional”, ka thënë Muja në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, problemi i brendshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) mund ta vështirësojë, apo edhe ta pamundësojë zgjedhjen e presidentit.

“Ky problemi i brendshëm i LDK-së do ta vështirësojë, për të mos thënë do ta pamundësojë, zgjedhjen e presidentit. Do të jetë vështirë që këto 6-7 vota të kompensohen”, është shprehur ai.

Muja ka thënë se pret që Kuvendi të konstituohet nesër dhe më pas procesi të vazhdojë me formimin e Qeverisë. 

“Besoj që do ta kemi konstituimin e Kuvendit nesër. Nuk e di si do të veprohet për zgjedhjen e Qeverisë, por VV-ja i ka votat ta bëjë. Pastaj do të futemi në ato afatet për president, që janë dy muaj. Pra, do t’i kemi edhe dy muaj në dispozicion”, ka deklaruar Muja.

Në fund, ai ka apeluar te partitë politike që të tejkalojnë dallimet dhe interesat partiake për t’i dhënë vendit institucione funksionale.

“Shpresoj që partitë t’i tejkalojnë egot e veta dhe t’i japim vendit institucione”, ka përfunduar Muja.