Profesori i shkencave politike, Basri Muja, ka deklaruar se shkuarja e vendit në zgjedhje të reja do të ishte një skenar i keq për Kosovën, pasi sipas tij, tash e 18 muaj vendi është përballur me bllokada, të cilat, Muja thotë se kanë ndikuar negativisht, veçanërisht në rrethanat aktuale gjeopolitike dhe në aspektin socio-ekonomik.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Muja ka thënë se po që se vendi shkon në zgjedhje, elektorati do t’i ndëshkojë partitë bllokuese të procesit të zgjedhjes së presidentit.
“(V.J. shkuarja në zgjedhje) do të ishte një skenar shumë i keq për Kosovën, Kosova është peng e këtyre ndërskamësave qe së paku 18 muaj. Për vendin tonë, për situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi por edhe për shkak të problemeve të mëdha socio-ekonomike me të cilat përballen qytetarët e Kosovës përditë do të ishte zgjidhje shumë e keqe. Unë shpresoj që elektorati kosovar që ka ditur të lëvizë prej një partie në një parti tjetër, e që kjo flet për një elektorat të emancipuar, i cili nuk ua falë besimin blanko por pret ofertë prej secilës parti dhe i gjykon më pas prej veprimeve, pres që ata do t’i penalizojnë partitë bllokuese, ato parti që nuk e kanë pasur seriozisht çështjen e zgjidhjes së presidentit dhe edhe konstituimin e të gjitha institucioneve”, ka thënë ai.
Muja ka kritikuar AAK-në për mospranim të ftesave për takim, sipas tij, Gjini duhet ta bindë Kurtin për pranimin e kërkesave të tij, ndërsa për PDK-në ka thënë se duke e ditur se nuk do të ndryshojë vendim për të qëndruar në opozitë, do të duhet ta ketë të qartë rolin e opozitës.
Derisa ka folur për takimet mes krerëve të LVV-së dhe LDK-së, Muja ka thënë se rrjedhja e emrave për president nga takimi, i dëmton ato personalitete.
“Ajo që më befasoi për të mirë është konsistenca e tyre, vendosmëria e tyre për të mos përmendur emra pa një dakordim sepse rrjedhja e emrave mendoj se i dëmton ato personalitete”, ka theksuar ai.
Edhe
Analistët shohin rritje hendeku mes palëve politike - pak pritje për marrëveshje
Ndërsa, për ofertën e Aleancës me shtatë kërkesa ndaj Kurtit, ai ka thënë se nuk mendon se ka qenë e sinqertë.
“Nuk mendoj se ka qenë shumë e sinqertë oferta e Aleancës sepse nëse vërtetë unë t’i ofroj ty 6-7 pika dhe nuk vij t’i diskutoj me ty, nuk është shumë shpresëdhënëse për sukses nëse unë i ofroj kërkesat e mija dhe pa diskutim merri ose lëri. Nuk më ka bindur shumë për seriozitetin e Aleancës”, është shprehur ai.