Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se në Ambasadën e Kosovës në Berlin janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhen serbe mbi pllakatin identifikues të objektit.
Sipas një postimi të publikuar në Facebook njoftohet se mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si “Nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi” dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës.
Bëhet e ditur se menjëherë pas identifikimit të këtij akti, Ambasada ka njoftuar autoritetet kompetente gjermane.
“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.
MPJD-ja ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare.
-
MPJD: Në protestën para Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd u përdor gjuhë me tone ekstremiste
-
Ambasada gjermane për deklaratat e Vuçiqit: Gjermania mbështet sovranitetin e Kosovës
-
Si u turpërua Zvezda e Beogradit për flamurin anti-Kosovë
-
“Java e Kulturës së Kosovës në Berlin” me sinjale artistësh e potencialesh
-
Tifozë spanjollë me flamur anti-Kosovë, klubi serb i falënderon