Arbëri

MPB-ja lanson projektin për hallkat elektronike

Albin Kurti

Foto: Alban Bujari

Kryeministri Albin Kurti, në lansimin e projektit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, ka thënë se gjurmuesit do të ndihmojnë që si asnjëherë më parë viktimat ta luftojnë suksesshëm dhunën në familje. 

Kurti ka theksuar se mbikëqyrja elektronike do ta reduktojë numrin e rasteve të dhunës në familje, pasi sipas tij, në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi do të lajmërohen të dy nivelet e policisë, ai lokal dhe ai qendror dhe pastaj do të vijojë procedura standarde për ndërhyrje. 

Vendosja e hallkave elektronike parashihej në Ligjin për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ka hyrë në fuqi në korrik të vitit 2015. 

Kontrata mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe operatorit ekonomik për zbatim të këtij ligji është nënshkruar në korrik të këtij viti.

“Hallkat, byzylykët që do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit. Në anën tjetër edhe gjurmuesit të cilët do t’i kenë viktimat në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Në rast se do të ketë situata të tilla ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet i dyshuari ose dhunuesi menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, edhe lokal edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje”, është shprehur Kurti, raporton Ekonomia Online. 

Ai ka thënë se problemi më i madh ka qenë mosresptimi i urdhrave mbrojtës. “Defekti nuk është mungesa e hallkave për monitorim elektronik, por mos respektimi i urdhrave mbrojtëse. Kjo do ta reduktoj jashtëzakonisht shumë dhunën në familje”, ka deklaruar Kurti.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka theksuar se kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë.

Sipas saj dënimet e ulëta dhe lirimi në procedurë të rregull nga Prokuroria, i ka inkurajuar dhunuesit. 

“Ne në vazhdimësi kemi thënë se do të ndërmarrim çdo veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë. Kemi ndërmarr shumë veprime. Kjo është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Kosovë. Dhuna në familje nuk është çështje private është përgjegjësi e institucioneve dhe në këtë rast presim veprime serioze sidomos nga Prokuroria dhe Gjykata. Dënimet e ulëta dhe veprimet me lëshim në procedurë të rregull nga Prokuroria i inkurajon dhunuesit në mënyrë që shteti pra me këto veprime, institucionet e drejtësisë, dhunuesit po i shndërrojnë në vrasës”, ka theksuar Haxhiu.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se këto pajisje do të shfrytëzohen edhe në raste të tjera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por që roli primar i tyre është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave.

“Ky është edhe një sukses i policisë por edhe i gjithë sistemit të drejtësisë drejta asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave, por jo vetëm. Ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe në raste të thera në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave. Zbatimi efikas i sistemit do ta sjell një ndryshim jashtëzakonisht të madh në parandalimin e kësaj vepre të rendë”, ka thënë ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se policia e ka pasur obligim që ta funksionalizoj këtë sistem duke u bazuar në ligjin mbi mbikëqyrjen elektronike.

“Policia e Kosovës e ka pasur një obligim bazuar në ligjin mbi mbikëqyrjen elektronike e kjo ka qenë që të kemi sistemin funksional për mbikëqyrje elektronike të rasteve të dhunës në familje. Qeveria ka ndarë një buxhet të veçantë për këtë projekt dhe PK-ja ka krijuar një ekip për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe kemi arrit që projektin ta kompletojmë”, ka thënë ai.