Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka vizituar komunën e Deçanit, me ç’rast ka nënshkruar katër memorandume mirëkuptimi me kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj, me të cilët kjo komunë përfiton 3 milionë e 580 mijë euro për disa projekte kapitale.
Sipas MMPH-së, memorandum bashkëpunimi ministrja ka nënshkruar edhe me kryeshefin e KUR “Hidrodrini”, Agron Tigani.
Reshitaj deklaroi se këto memorandume mundësojnë realizimin e disa projekteve që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Deçanit.
“Janë ndarë 3 milionë e 580 mijë euro për disa projekte kapitale përfshirë, Ujësjellësit në fshatin Strellc, kanalizimi në Deçan, ujësjellësi që do të furnizojë 10 fshatra dhe shtrati i lumit Lumbardh. Këto projekte janë vetëm fillimi i asaj çfarë mund të bëjmë për Deçanin, që ka qenë i lënë anash me projekte në të kaluarën”, ka thënë Reshitaj.
Ajo veçoi edhe mbështetjen financiare për rregullimin e shtratit të lumit Lumbardh të Deçanit në vlerë prej 3 milionë euro ku për këtë vit janë ndarë 500 mijë euro.
Kurse, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, falënderoi Reshitajn për këto projekte madhore për Deçanin.
Edhe
Komuna e Ministria me projekte të përbashkëta infrastrukture
Ministrja, e shoqëruar edhe nga Ramosaj, vizituan Grykën e Deçanit për të parë për së afërmi degradimin e shtratit të këtij lumi.
“Jemi duke vëzhguar se çfarë mund të bëjmë më shumë për disa degradime të lumit ‘Lumbardh” të Deçanit’”, theksoi në fund ministrja Reshitaj.