Arbëri

Mjeku: Emërimet në borde nga Qeveria Hoti plotësisht të paligjshme

Getoar Mjeku, këshilltar i GP të Vetëvendosjes, në “Express Intervistën” në KTV ka thënë se emërimet në borde nga Qeveria Hoti janë plotësisht të paligjshme dhe antikushtetuese.

Sipas tij dallimi ndërmjet Qeverisë Kurti dhe kësaj të Hotit qëndron në respektimin e ligjit.

“Janë dy veprime kryesore të Qeverisë Kurti që u kanë futur tmerrin kastës së të korruptuarve: Vettingu në drejtësi dhe shkarkimet e bordeve zhvatëse. Këtu është problemi. Ne kemi vepruar sipas ligjit duke marrë parasysh gjetjet e zyrës kombëtare të Auditorit. E gjithashtu kemi nxjerrë vendime të drejta, që kanë siguruar lëvdata të Qeverisë Amerikane, të Raportit të Progresit, por mbi të gjitha të popullit, i cili në fund të fundit qytetarët e Kosovës janë matës i mirë i legjitimitetit të këtyre veprimeve”, ka thënë Mjeku. “Dallimi (me qeverinë aktuale) është pikërisht në zbatimin e ligjit. Kemi vepruar sipas nenit 43 të Ligjit për ndërmarrje publike që e autorizon Qeverinë që me t’i emërojë bordet e përkohshme, mirëpo e autorizon të emërojë në rrethana e afate të caktuara”.

Mjeku ka bërë të ditur se afati i Bordit të përkohshëm është gjashtë muaj.

“Emërimet e bordeve të përkohshme nga Qeveria Hoti janë plotësisht të paligjshme, e të pakuptimta. Sepse në shumicën prej tyre janë konkurse për borde të rregullta, janë përzgjedhë listat e ngushta. Poashtu ka shkelë ligjin me shkarkimin e katër bordeve publike në muajin gusht me arsyetimin se nuk u janë bindur urdhrave të ministrit për me i ndërprerë disa konkurse të brendshme që janë kompetencë e bordit dhe natyrisht që ligji kërkon pavarësi e profesionalizëm. Fatkeqësisht janë nën vendime të kabinetit të Hotit për bordet, 8 prej tyre janë plotësisht të paligjshme, madje jokushtetuese dhe me elemente të keqpërdorimit të detyrës”, ka thënë.

Ai thotë se nuk mund t’u vazhdohet afati bordeve të përkohshme.

“Listat e ngushta janë gati. Qeveria nuk po vepron, nuk mund të paragjykojë vendimet e saj. Bordet aktuale nuk kanë mandat. Ligji thotë se nuk mund të zgjatet ky mandat i bordeve të përkohshme. Mandati gjashtë mujor duhet të respektohet. Anëtarët që po emërohen tash plotësojnë mandatin e atyre që e braktisin mandatin”, ka thënë Mjeku.

Tutje ai ka folur edhe për Telekomin, për të cilën ka thënë se një qeveri legjitime kishte me ndërmarrë veprime të paktën hetuese me e pa se si mundet me e shpëtuar këtë ndëmarrje.

“Përfaqësuesit e Qeverisë janë takuar me përfaqësuesit e familjes së Devollëve, apo të Z-Mobile. Nuk i dimë detajet. Nuk mund të negociohet kur ky kreditor ka shfryëzuar çdo përparësi të ligjshme dhe të paligjshme kundrejt Telekomit dhe kur qëllimi përfundimtar është me e kthyer kompaninë Z-Mobile qoftë si partner qoftë si kreditor që do të shfrytëzojë mjetet e Telekomit në vazhdimësi”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë gjithashtu se rrezikohet edhe siguria kombëtare nëse operatori i dytë blihet nga Telekomi i Serbisë.

“Duhet të ndërmerren veprime ekzekutive. Duhet të ndërmerret veprimi për mbrojtjen e sigurisë shtetërore sepse rrezikimi i Telekomit në një kohë kur operatorin e dytë rrezikon me e ble Telekomi i Serbisë mendoj që e cenon thellë sigurinë shtetërore. Sepse nuk na lejon kurrfarë kontrolli mbi komunikimet elektronike në Kosovë. Nuk ka të bëjë këtu vetëm me telefoninë por edhe internetin dhe institucioneve”, ka thënë ai.