Arbëri

Betejat e Intensives

Brenda disa orësh, prej të premtes vonë e deri në mëngjesin e së shtunës, vetëm në Njësinë Intensive COVID-19, e kanë humbur betejën me virusin 7 persona nga 21 sa kanë vdekur në krejt Kosovën përgjatë 24 orëve. Kjo njësi është pothuajse e mbushur, e SHKSUK-ja po planifikon që edhe një repart të Infektives ta kthejë në Njësi Intensive pikërisht për shkak të rasteve në gjendje të rëndë. Mjekët e infermierët ngrenë alarmin për gjendjen e rëndë të të rinjve të pavaksinuar. “Kurrë ma rëndë s’ka qenë”, është njëri prej konstatimeve

Në hyrje të Klinikës Interne, rreth orës 13:00 ka shumë qytetarë. Po presin që sigurimi t’ua hapë derën, për t’i lejuar brenda hapësirave të kësaj klinike.

Kati i parë është improvizuar në Njësi Intensive COVID-19. Nga larg dëgjohet zhurma e aparaturave që pjesën më të madhe të pacientëve të kësaj njësie e mbajnë në jetë.

Në dhomën numër 5, një specializant ka një orë që po e shkruan gjendjen për secilin pacient të hospitalizuar, për t’i ndarë me familjarët. Kjo periudhë është e vetmja kur ata mund të marrin informata për gjendjen e të afërmve të tyre.

Përballë kësaj dhome, është një sallë e madhe e ndarë në tri hapësira, ku po qëndrojnë pacientët në gjendje të rëndë nga COVID-19.

Përderisa familjarët flasin me stafin shëndetësor, në hapësirën karshi të afërmit e tyre po luftojnë me vdekjen.

Mbrëmja e së premtes ka qenë veçanërisht e rëndë për këtë Njësi.

Aty janë 24 shtretër, e veç prej mesnatës të së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, gati një e treta këtyre pacientëve kanë vdekur. Brenda pak orësh janë zëvendësuar me pacientë të rinj, për të cilët po bëhet përpjekje që të shpëtohen.

Është hera e dytë e ekipit të KOHËS, brenda kësaj njësie, gjatë 72-orëshit të fundit. Vetëm dy pacientë janë nga vizita e kaluar. Të tjerët e kanë humbur betejën me virusin.

Asnjëri nga këta pacientë nuk është në gjendje të flasë. Asnjëri nga ta nuk është në trajtim me maskë të thjeshtë oksigjeni. Një pjesë janë në atë që njihet me CPAP, e pjesa tjetër të intubuar.

Sipas shpjegimeve të profesionistëve shëndetësorë, maska CPAP shërben për të ua lehtësuar punën mushkërive për frymëmarrje. Por, megjithëkëtë, frymëmarrja realizohet nga mushkëritë.

E intubimi paraqet gjendje veçanërisht të rëndë të pacientit. Të kësaj kategorie janë në komë artificiale. Një gyp i hollë u futet në rrugët respiratore, e i kyçur në ventilator kryen funksionin e mushkërive. Janë të shumta rastet kur nga maska CPAP, gjendja u keqësohet e kalojnë në intubim.

Sa ekipi i KOHËS ishte aty, një rast i tillë edhe ndodhi.

“Kurrë ma rëndë s’ka qenë”

Anesteziologu Muhamet Fazliu, mjek kujdestar në këtë klinikë mori përgjegjësinë ta kryejë këtë proces.

Bashkë me Fazliun është edhe një tjetër anesteziolog kujdestar. Të dy ata po përkujdesen për 22 pacientë. E me ta janë edhe tetë infermierë.

Në gjendje gatishmërie po presin çdo ndryshim.

“Kurrë ma rëndë s’ka qenë”, thotë Fazliu, gjatë kohës sa është duke u marrë me pacientët.

“A je mirë?”, e pyet të vetmin pacient që është në gjendje t’i përgjigjet me pohim koke.

Ky qytetar rreth të tridhjetave, dy ditë me parë ishte në gjendje të flasë. Situata i është keqësuar, por është stabil.

Por, përveç punës profesionale të mjekëve, infermierët kanë edhe barrë të tjera , të cilat në kushte normale nuk do të duhej t’u takonin.

Infermieri i Intensives, Senad Syla, është i angazhuar që prej fillimit të pandemisë te rastet me COVID-19. Ai ka folur për vështirësitë që po e përcjellin atë dhe kolegët e tij gjatë punës.

“Punojmë punë të shumta, duke përfshirë prej punëve të teknikut, punën e bartësit, punën e ndihmësit, sepse mungojnë bartësit dhe ndihmësit, e ne si teknikë i kryejmë edhe këto. Puna është jashtëzakonisht e madhe. Vullneti është shumë i madh. Pacientët janë në gjendje shumë më të rëndë, gjendja e tyre është më e keqe”, ka thënë ai.

Një nga viktimat e fundit është edhe një 28-vjeçare, shtatzënë në javën e 25-të. Ajo është shtatzëna e pestë brenda një jave që e humbi betejën me virusin.

Infermieri Syla ka folur edhe për betejat emocionale të stafit në të tilla raste.

“Pacientët në gjendje më të rëndë janë pacientë shumë më të rinj, më të rinj... Më të rinj se unë, edhe gjendja e tyre është jashtëzakonisht... Edhe ne kemi dhimbje, kemi familje, kemi emocione, kemi stres psikologjik se nganjëherë nuk mundesh me i ndihmu pacientit në atë gjendje”, ka shtuar ai.

Kapacitetet e ngarkuara

Brenda 24 orëve të fundit, 21 persona kanë humbur betejën me COVID-19, e më shumë se 1 mijë e 200 raste kanë rezultuar pozitive. Por, pavarësisht rënies së numrit të hospitalizimeve, në Intensivë një gjë e tillë nuk po vërehet. Për rreth një orë e gjysmë, sa ka qëndruar këtu ekipi, edhe dy pacientë në gjendje të rëndë janë transferuar. Njëra nga ta është shtatzënë.

Është hospitalizuar të shtunën në mëngjes në Mjekimin Intensiv Qendror në pjesën jo COVID, për shkak që kishte rezultuar negative.

“Ka ardhë me oksigjen 60. Jashtë çdo norme”, i tregon ekipit një nga profesionistët shëndetësor.

Gjendja e saj është e rëndë, por ekipi dyshon që në bazë të parametrave është paciente tipike me COVID-19. I përsëritet testimi. Për të dytën herë rezulton pozitive. Pas këtij rezultati njoftohet stafi i Njësisë COVID-19, për ta transferuar aty ku deri në ato momente po trajtoheshin edhe 21 pacientë të tjerë. Me këtë shtatzënë zihet edhe shtrati i 22-të. Mbesin edhe dy shtretër të lirë.

Në rast që vazhdon gjendja e rëndë e pacientëve, kjo Njësi nuk është e mjaftueshme. Por, siç shpjegojnë mjekët, tashmë SHSKUK-ja ka bërë zgjidhje për ta rritur kapacitetin e shtretërve për pacientë në gjendje të rëndë.

Njëri krah i katit të tretë të Klinikës Infektive, i cili është përdorur për pacientë në gjendje më të rëndë, është bërë gati dhe është lëshuar për pacientë në gjendje kritike. Janë përafërsisht edhe nja dhjetë shtretër.

“Delta” dhe gabimi i të rinjve

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Muhamet Fazliu, mjeku kujdestar gjatë 24 orëve në këtë njësi. Ai ka folur edhe për gjendjen e rëndë në këtë klinikë.

“Gjendja e pacientëve është mjaft e rëndë, janë pacientë të gjithë rëndë. Pjesa dërmuese janë të intubuar ose me CPAP. Gjithashtu, mbrëmë kishte qenë një natë e rëndë. Kur e kemi marrë pranimin prej kolegëve, kanë qenë 7 eksitusa (v.j. vdekje). Fatkeqësisht, kjo është gjendja”, ka thënë Fazliu, anesteziolog kujdestar.

Fazliu ka ngritur alarmin për moshat e reja që po përfundojnë në hospitalizim, e që, sipas tij, në 95 për qind të rasteve janë të pavaksinuar.

“Kjo lidhet me vaksinim dhe me variantin Delta, që i atakon shumë moshat e reja, është shumë më bartës, më infektues. Ndoshta te moshat e reja ka qenë ai mendimi që ‘unë i ri e s’po vaksinohem’, e ky ndoshta është gabimi që ne e kemi bërë si popullatë, të cilin po e vuajmë tash”, është shprehur ai.

Kosova qysh prej muajit gusht është duke u përballur me gjendje të rëndë epidemiologjike, jo veç të rasteve pozitive, por edhe të vdekjeve e hospitalizimeve. Një pjesë e tyre u takojnë moshave të reja.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 21 të vdekur në 24- orëshin e fundit, 3 persona i takojnë moshave nën 50 vjeç.

MSH-ja ka njoftuar se një i vdekur është i grupmoshës 20-29 vjeç, një është i grupmoshës 30-39 vjeç, dhe një tjetër i grupmoshës 40-49 vjeç.

Nga 1.278 raste të reja pozitive të shënuara në 24 orët e fundit, 33 i takojnë grupmoshës 0-9 vjeç, 112 grupmoshës 10-19 vjeç, 227 grupmoshës 20-29 vjeç dhe 260 raste i takojnë grupmoshës 30-39 vjeç. Gjatë 24 orëve të fundit nga 21 raste të vdekjes nga koronavirusi, tri janë nga komuna e Suharekës.