Infermieri i Njësisë Intensive COVID-19, Senad Syla, është i angazhuar që prej fillimit të pandemisë te rastet me koronavirus. Në një deklaratë për KTV-në të shtunën, ai ka folur me emocione për vështirësitë që po e përcjellin atë dhe kolegët e tij gjatë punës.
“Punojmë punë të shumta, duke përfshi prej punëve të teknikut, punën e bartësit, punën e ndihmësit, sepse mungojnë bartësit dhe ndihmësit, e ne si teknikë i kryejmë edhe këto. Puna është jashtëzakonisht e madhe. Vullneti është shumë i madh. Pacientët janë çdo ditë në gjendje shumë më të rëndë, gjendja e tyre është më e keqe”, ka thënë ai duke theksuar se bartja e pacientëve është ndër punët më të vështira që ata bëjnë.
Ka thënë se ka raste kur stafi shëndetësor punon tetë orë rresht pa konsumuar ujë fare.
Syla ka folur edhe për betejat emocionale të stafit në rastet e vdekjeve. Këtu ka thënë se përjetojnë dhimbje të mëdha, teksa ka përmendur edhe humbjen e një pacienteje shtatzënë të premten.
“Ka shumë pacientë në gjendje më të rëndë. Janë pacientë shumë më të rinj, më të rinj... Më të rinj se unë. Gjendja e tyre është jashtëzakonisht... Edhe ne kemi dhimbje, kemi familje, kemi emocione, kemi stres psikologjik se nganjëherë nuk mundesh me i ndihmu pacientit në atë gjendje”, ka shtuar ai.
“Mbrëmë kemi pasur vdekjen e një 28-vjeçareje shtatzënë. Edhe ne kemi familje, i përjetojmë edhe ne këto dhimbje, por mbi të gjitha puna është shumë e madhe. Po e japim maksimumin me kapacitetet tona, deri kur të mundemi”, ka përfunduar Syla.
Edhe
Betejat e Intensives
Në këtë njësi, nga e premte në mbrëmje e deri të shtunën në mëngjes, betejën me COVID-19 e humbën shtatë persona, nga 21 sa vdiqën në krejt Kosovën për 24 orë.
Kjo njësi është pothuajse e mbushur, e SHSKUK-ja po planifikon që edhe një repart të Infektives ta kthejë në njësi intensive, pikërisht për shkak të rasteve në gjendje të rëndë. Mjekët e infermierët vazhdimisht ngrenë alarmin për gjendjen e rëndë të të rinjve të pavaksinuar.
Rastet e vdekjeve nga COVID-19 janë shtuar dukshëm në javët e fundit. Vetëm në katër ditët e para të shtatorit vdiqën 101 qytetarë.