Arbëri

Klinika Intensive – mes shpresës dhe humbjes së jetëve

Njësia Intensive e Mjekimit Qendror ku po trajtohen rastet me COVID-19 trajton rastet më të rënda në nivel të Kosovës. Katër mjekë e nëntë infermierë në ndërrim kujdesen aktualisht për 21 pacientë. Prej tyre vetëm njëri është në gjendje të flasë. Të tjerët janë në gjendje të rënduar. Ndonëse ka pasur rënie të rasteve pozitive, kjo jo vetëm që nuk është vërejtur në këtë njësi, por shifrat e pacientëve në gjendje shumë të rëndë veçse janë rritur

Vetëm një pacient në Njësinë Intensive Qendrore ku po trajtohen pacientët me COVID-19 po mbante maskë të thjeshtë frymëmarrjeje. Të gjithë të tjerët ishin në gjendje të rëndë, shumica pa vetëdije. Zhurma e aparaturave dëgjohej nga lart, ndërsa tingujt e tyre tregojnë përpjekjet e pacientëve për të marrë frymë.

Në këtë objekt çdo ditë numër i pacientëve po e humbin betejën me virusin. Në çdo ndërrim ka nga 4 mjekë e 9 infermierë që përkujdesën për 21 pacientët. Janë 26 shtretër. Pothuajse çdo ditë një pjesë e pacientëve ndërrohen.

Mjekët mbajnë të veshura rrobat e bardha për t’i mbrojtur nga virusi. Kjo njësi për dallim nga klinikat e tjera nuk ka pushim për doktorët. Ata nuk mund të dalin për 24 orë në drekë a darkë. Hanë shpejt e shpejt në hapësirë të veçantë të klinikës. Kjo, për shkak se gjendja e pacientëve këtu mund të ndryshojë nga minuta në minutë, e për këtë duhet prania e domosdoshme e mjekëve.

I vetmi pacient që mund të flasë është në të tridhjetat e tij.

Është shtruar në këtë njësi mëngjesin e së mërkurës. Ka qenë i hospitalizuar për 14 ditë në një nga spitalet rajonale. I dërrmuar nga kjo sëmundje, ai ka humbuar nënën po ashtu nga COVID-19. Është mërgimtar që jeton në Luksemburg e kishte ardhur për pushime në vendlindje.

“Nëna më ka vdekur dje. Jam prej Luksemburgu, kam ardhur me pa familjen”, tha pacienti.

Gjendja në këtë njësi është më e rënduara. Këtu pranohen vetëm raste të rënda.

Ndonëse për disa ditë janë shënuar më pak raste pozitive krahasuar me javën e kaluar, numri i hospitalizimeve në këtë njësi nuk ka rënë.

Mentor Alimusaj, që është mjeku përgjegjës, tregon për gjendjen e rënduar.

“Ne si staf i Mjekimit Intensiv kemi parë veç një rritje të kërkesës për pacientë që kanë nevojë për trajtim. Sot kemi 21 pacientë. 10 janë të intubuar, 10 janë me maskë CPAP dhe një me maskë të thjeshtë... Realisht nuk kemi parë ndonjë trend të rënies së hospitalizimeve”, tha Alimusaj.

Ai ka folur për ndryshimet e pacientëve të Intensives në këtë valë nga valët paraprake, dhe ka tërhequr vëmendjen për rëndësinë e pacientëve që kanë simptoma të COVID-19 e që sa më herët të paraqiten tek mjeku.

“E kam një këshillë tjetër kësaj radhe. Ju lutem mos i neglizhoni shenjat ose simptomat e COVID-19. Momentin e parë kur paraqiten shenjat e para të lajmërohen në institucionet shëndetësore. Sa më herët, aq më mirë, aq më efikas”, tha Alimusaj.

Për dallim nga valët e tjera, kjo valë, që kryesisht është e përhapur përmes variantit Delta, ka rritur numrin e hospitalizimeve e 90 për qind e rasteve që gjenden në spitale kanë nevojë për oksigjenoterapi.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar të mërkurën (1 shtator) se 1220 pacientë janë duke u trajtuar në spitalet e përgjithshme në Kosovë, si dhe në klinikat për trajtim të koronavirusit.

Shifra është për 39 më pak se një ditë më parë kur ishin raportuar 1259 pacientë.

“Nga 1220 pacientët e shtrirë, 1116 janë të konfirmuar me COVID-19, 1051 me oksigjenoterapi dhe 59 në kujdes intensiv, në gjendje të rënduar shëndetësore”, thuhet në raport.

Në javët e fundit, rastet që kanë përfunduar me fatalitet nga COVID-19 janë shtuar. Më 29 gusht është shënuar dita më tragjike që prej kur është paraqitur pandemia, me 36 viktima. Më 30 gusht, të hënën, po ashtu janë shënuar 20 viktima nga COVID-19.

Më 30 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër pandemisë, të cilat sipas Qeverisë së Kosovës kanë për qëllim frenimin e përhapjes së mëtejme të koronavirusit.

Megjithatë, me masat e reja kundër COVID-19, nga 13 shtator 2021, të gjithë shërbyesit civilë obligohen të kenë njërën nga këto dëshmi: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë, marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19 apo testin e shpejtë antigjen negativ, jo më të vjetër se 48 orë. Ky test zakonisht bëhet në laboratorët privatë dhe kushton rreth 10 euro.