Arbëri

Ministria e Financave ka prioritet stabilitetin makro-fiskal të Kosovës

“Prioritet i Ministrisë së Financave në procesin e planifikimit të buxhetit për vitin 2020-2022 është stabiliteti makro-fiskal i vendit, dhe në këtë drejtim objektivat tona permanente konsistojnë në harmonizimin e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore”, theksoi ministri i Financave Bedri Hamza gjatë takimit me përfaqësuesit e komunave Gjilan, Viti, Shtërpcë, Ranillug, Kaçanik, Hani i Elezit, Partesh, Kllokot, Ferizaj, dhe Novobërdë.

Ky takim është mbajtur në kuadër të forumeve me autoritetet komunale lidhur me zhvillimin e procesit buxhetor komunal për periudhën 2020 – 2022, të organizuara nga Ministria e Financave në bashkëpunim me OSBE-në, të cilat kanë filluar që nga data 12 korrik 2019 dhe tashmë janë zhvilluar me të gjitha komunat e Kosovës.

Ministri Bedri Hamza theksoi para të pranishmeve se qëllimi i këtij takimi është që të informohen zyrtarët e komunave mbi procesin buxhetor komunal për vitin 2020-2022, si dhe për koordinimin e aktiviteteve mbi zhvillimin e planifikimit afatmesëm të buxhetit komunal të përcaktuar me kuadrin ligjor, me theks të veçantë do të diskutohet mbi Kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitin 2020-2022, Qarkoren Buxhetore 2020/01, Strukturën e shpenzimeve, si dhe Projektligjin për Financat e pushtetit lokal.

“Korniza për buxhetin e vitit 2020 bazohet në KASH 2020-2022 që është aprovuar nga Qeveria e Kosovës bazuar në prioritetet afatmesme të Qeverisë dhe kornizën makro-fiskale për vitet 2020-2022. Gjatë zhvillimit të procesit buxhetor, janë marrë parasysh edhe zotimet tona në raport me institucionet financiare ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Qarkorja Buxhetore 2020/01 është hartuar në pajtim me obligimet nga marrëveshjet financiare ekzistuese dhe të atyre në negocim, dhe reflekton në drejtimin e politikave fiskale të përcaktuara në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, shtoi ministri Hamza.

Ai me këtë rast bëri të ditur se ndarjet e Granteve qeveritare për komuna për vitin 2020 janë bërë sipas kritereve dhe formulave të përcaktuara në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal dhe ligjet e tjera relevante, si dhe duke u bazuar në projeksionet makro-fiskale dhe të dhënave nga ministritë e linjës. Sipas ministrit Hamza, financimi komunal për vitin 2020 është aprovuar nga Komisioni i Granteve në shumën rreth 580 milionë euro.

Gjatë takimit, ministri Hamza gjithashtu u bëri thirrje komunave që të rrisin inkasimin e të hyrat e tyre vetjake, përmes të cilave mund të realizojnë projekte kapitale dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve të tyre.