Shpifje dhe aspak të vërteta i ka quajtur ministri i Financave, Hekurat Murati, paralajmërimet se komunat në Kosovë rrezikojnë të mbesin pa buxhet, një ditë pasi që është mbajtur përgjegjës nga Asociacioni i Komunave të Kosovës për moslëshimin e Qarkores së dytë buxhetore.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Murati ka bërë të ditur se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ndarë buxhetin e komunave për vitin 2023 dhe e ka vlerësuar atë si rekord të lartë në krahasim me vitet e shkuara. E pretendimet e ngritura për bllokim të buxhetit të komunave ai i ka quajtur shpifje.
“Pretendimet se ka bllokim të buxheteve komunale janë shpifje dhe aspak të vërteta. Secila komunë për vitin aktual ka buxhetin e miratuar dhe mund të ekzekutojë pagesat pa asnjë problem. Ndërsa Qarkorja buxhetore për vitin 2023 ndahet me kohë, dhe çdoherë brenda afateve që parashihen me legjislacion. Vetëm dikush që nuk merr vesh fare në procesin buxhetor mund të pretendojë se qarkoret për vitin 2023 po bllokojnë investimet në vitin 2022”, ka shkruar Murati.
Krahas Asociacionit të Komunave të Kosovës, lëshimi i Qarkores së dytë buxhetore është kërkuar edhe nga përfaqësuesit e partive opozitare.
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike, ka cekur nëpërmjet një postimi në Facebook se Qeveria është duke e zvarritur me qëllim realizimin e shumë projekteve që janë në të mirë të qytetarëve.
Ai e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po vepron në bazë të inateve politike, pasi që të gjitha komunat që udhëhiqen nga kryetarë që u përkasin subjekteve opozitare kanë pasur vështirësi në realizimin e projekteve kapitale, për shkak të neglizhencës së Qeverisë Kurti.
E ftesë për lëshim sa më të shpejtë të Qarkores është adresuar edhe nga shoqëria civile.
Edhe
Murati: LDK-ja, adresa e bllokadës për buxhetin e Prishtinës
Diell Haxhimusa, hulumtues në Iniciativa për Progres (INPO) i ka bërë thirrje Ministrisë së Financave që sa më parë të publikojë Qarkoren e dytë buxhetore, për shkak se kjo ndërlidhet me funksionimin e mirëfilltë të komunave.
“Sipas ligjit, më 1 shtator bëhet votimi në asambletë komunale për buxhetin e ardhshëm dhe gjithçka përfundon aty me komunën. Si pasojë e kësaj vonese, komunat mund të fusin projekte të paplanifikuara mirë ose mund të bëjnë veprime të paplanifikuara mirë, të cilat bien ndesh me Ligjin për planifikimin e projekteve, të cilat nuk janë reale me nevojat e qytetarëve. Këto ndryshime pastaj mund të prodhojnë pasoja për vitin e ardhshëm”, ka theksuar Haxhimusa.
Nga Asociacioni i Komunave të Kosovës është kërkuar të hënën miratimi urgjent i Qarkores së dytë buxhetore, pasi që mosdorëzimi i buxhetit në kuvendet komunale deri më 1 shtator do t’u kushtonte komunave me humbje të pikëve në Raportin e performancës dhe kësisoj do të pasonin penalizime për komunat nga përfitimet financiare prej Grantit të Performancës.